Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë, ku një 29-vjeçare me origjinë shqiptare, e identifikuar si Savannah Kulla, është qëlluar për vdekje nga ish-partneri i saj.
Vrasja ndodhi të martën pasdite në një parking në zonën Airport Road dhe Queen Street në qytetin Brampton. Sipas mediave vendase, autori Anthony Deschepper, 38 vjeç, pasi e qëlloi për vdekje të renë, rrëmbeu vajzën e tyre njëvjeçare, për të cilën autoritetet kanadeze shpallën një ‘Amber Alert’, sistem urgjent njoftimi që përdoret për rastet e rrëmbimit të fëmijëve.
Foshnja u gjet më pas e sigurt, pasi ai e kishte lënë pranë të afërmve në rajonin e Niagara-s. Vetë Deschepper u vra nga policia të mërkurën në mëngjes, gjatë përpjekjes për ta arrestuar, ndërsa një grua që ndodhej në makinë me të u ndalua dhe po përballet me akuza.
Nëna e viktimës ka rrëfyer për mediat kanadeze se vajza e saj kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies për shkak të sjelljes obsesive të ish-partnerit. “Ishte i çmendur pas saj, deri në pikën e fiksimit. Ajo më thoshte shpesh se duhej të largohej prej tij,” – ka treguar e ëma me lot në sy.
Savannah Kulla ishte nënë e katër fëmijëve, tre djemve dhe një vogëlusheje 1-vjeçare, dhe njihej si një grua punëtore dhe shumë e përkushtuar ndaj familjes.
Autoritetet kanadeze e kanë cilësuar rastin si një vrasje të ndodhur për shkak të dhunës në familje, ndërsa lajmi ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada.