Nisi sot në Tiranë, konferenca 3-ditore e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë Diplo 2025 me temë “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”.
Gjatë kësaj konference mbajti fjalën përshëndetëse edhe i ftuari i nderit Constantinos Kombos, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Qipros.
Kombos vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe theksoi se fundi i këtij rrugëtimi është afër. Kombos tha se Shqipëria duhet të vijojë të intensifikojë përpjekjet për të ecur para.
“Është e dukshme për të gjithë, që në arenën ndërkombëtare Shqipëria ka hedhur hapa të jashtëzakonshëm përpara në praninë e saj diplomatike ndërkombëtare. Natyrisht që kreditet e saj janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Mendoj se ne duhet të përgëzojmë ata persona që janë përgjegjës për diçka të tillë”, u shpreh kryediplomati i Qipros.
“Do të përqendrohem tek integrimi evropian, tek procesi i zgjerimit dhe tek presidenca jonë e ardhshme dhe sesi këto përmasa janë të ndërtuara. Çdo konferencë e këtij lloji është mundësi për pjesëmarrësit edhe për pritshmëritë e organizatorëve për të krijuar kushte për të koordinuar për të bërë një inventar të situatës dhe për të vendosur objektivat”, vijoi ai.
“Në rastin tuaj është e qartë që objektivi qendror është i përqendruar tek Bashkimi Evropian. Shqipëria meriton përgëzime për progresin e shpejtë për shumë grup-kapituj në rrugëtimin tuaj evropian. Ju keni zgjeruar këtë rrugëtim dhe fundi i këtij rrugëtimi është afër. Një fund që do të shënjojë një fillim të ri! Thënë kjo, ka shumë punë për të bërë dhe intensifikimi i përpjekjeve është mënyra më e mirë për të ecur para”, tha Kombos.
Kombos shprehu mbështetjen e Qipros për Shqipërinë për anëtarësimin e vendit në BE.
“Në këtë proces duhet të jeni të sigurt që Qipro do të qëndrojë krah vendit tuaj si një lehtësues konstruktiv dhe i dobishëm për të gjitha përpjekjet që do të bëni për të arritur këtë objektiv fundor”, tha Kombos.
Ministri i Jashtëm i Qipros u ndal edhe tek bashkëpunimi dypalësh ndërmjet dy vendeve.
“Përtej BE-së ka një element dypalësh. Unë jam këtu si përfaqësues i një vendi mik, jam i angazhuar personalisht për të zgjeruar hapësirën e ndërveprimit për marrëdhëniet tona dypalëshe. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është ministri i parë i Shqipërisë që viziton vendin tonë dhe vizita ime këtu është e para pas 13 vitesh. Mendoj se është një sinjal mjaft pozitiv, për punën që kemi para, por edhe për vullnetin e mirë për të eksploruar çdo centimetër të hapësirës që lidhet me marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Kombos.
Kombos shtoi se “marrëdhëniet tona dypalëshe janë parësore, familja jonë evropiane është e paçmuar, por boshti dypalësh është gjithmonë i pranishëm”.
Ministri qipriot foli edhe për procesin pas anëtarësimit në BE.
”Dua t’i referohem mësimeve të nxjerra për periudhën e pas të bërit anëtar i BE-së. Sipas meje elementi kyç për t’u kuptuar është që Bashkimi Evropian është i papërsosur, është një punë në vazhdim e sipër, por në të njëjtën kohë është një eksperiment unik politik, një mrekulli, një rrjet e sigurt, përshpejtues, nxitës i mundësive. Kërkon që të ndërtohet masa kritike burokratike për të qenë të aftë që t’u përgjigjeni të gjitha sfidave që do të përballeni kur të bëheni pjesë e BE-së. Përgatituni për çfarë do të vijë. Sigurohuni që masa kritike, burokratike, teknike të jetë e ndërtuar me një ekspertizë që mbetet e përkushtuar ndaj projektit evropian”, theksoi ai.
“Shtetet anëtare, shtete kandidate dhe të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen pjesë e BE-së ndajnë të njëjtin vizion dhe vizioni duhet verifikuar. Ka të bëjë me përqafimin e vlerave të unionit. Ka të bëjë me faktin që ju të jeni të harmonizuar me rregullat e Bashkimit Evropian. Ky angazhim është detyra kryesore e procesit të anëtarësimit. Kjo krijon mundësi, por vjen dhe me përgjegjësi”, tha Kombos.