Për Kremlinin, deklaratat e presidentit amerikan se Putin është çmendur tregojnë mbingarkesë emocionale të Trump. Zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov shkoi më tej duke thënë se pohime të tilla dëmtojnë diskutimet për paqe.
Kremlini ka reaguar ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e quajti homologun e tij rus Vladimir Putin si të çmendur dhe e akuzoi Rusinë për vrasje të panevojshme të civilëve në kuadër të luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, e cilësoi deklaratën e Trump si të pakuptimtë dhe shenjë të mbingarkesës emocionale.
Deklaratat e tilla janë jo vetëm të papjekura, por edhe të rrezikshme. Ato tregojnë një mungesë të qartë stabiliteti emocional në nivelet më të larta të udhëheqjes amerikane,” – tha Peskov në një deklaratë për shtyp.
Sipas tij këto komente nuk i shërbejnë negociatave për paqe të cilat janë duke u udhëhequr pikërisht nga SHBA.
Autoritetet ruse i mbrojtën sulmet ajrore të së hënës mbi territorin ukrainas, duke i cilësuar si përgjigje të detyruar.
Sipas Moskës, Ukraina më herët ka ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës sociale në Rusi përfshirë shkolla, spitale dhe qendra shëndetësore duke rrezikuar civilët, por këto akuza mbeten të pambështetura ën fakte.
Ukraina ka kaluar çdo vijë të kuqe. Objektet civile janë vënë në shënjestër të drejtpërdrejtë. Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Deklaratat e fundit mes Rusisë dhe SHBA vijnë në një moment të tensionuar, ku mbështetja perëndimore për Ukrainën ka shënuar rritje, ndërsa Rusia vazhdon të përballet me izolim diplomatik dhe sanksione të shumta.















