Safet Bajri, i njohur si “i forti i Shkodrës,” ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke pretenduar se emri i tij po përdoret në mënyrë të paligjshme për vendosje gjobash dhe veprimtari kriminale.
Sipas tij, kjo situatë po dëmton reputacionin e tij.
Kallëzimi është dorëzuar nga avokati i tij, Sokol Tahiraj, ndërsa Bajri kërkon që personat përgjegjës të hetohen dhe të mbahen përgjegjës për këto veprime.
Bajri ishte ndër të shoqëruarit nga policia pas atentatit në Shkodër që shkaktoi tre viktima, përfshirë Hamza Licin, Arlind Bushatin, dhe aksidentalisht Flutura Bashën, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha, është në gjendje të rëndë. Ngjarja lidhet me përplasjet mes dy grupeve rivale, Bajrat dhe Licët. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, Safet Bajri u la i lirë, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjen e rëndë.