Shtatori tashmë është bërë zgjatim i sezonit veror pasi edhe ky muaj shfrytëzohet maksimalisht nga turistët e huaj për të bërë plazh. Sipas tur-operatorëve, thuajse të gjithë hotelet bregdetare i kanë dhoma e rezervuara deri në fund të shtatorit. “Vazhdojmë deri në mesin e tetorit me rezervime, duket pozitiv dhe jemi optimistë që ta shtyjmë sa më shumë. Me fluturimet e reja ka shumë mundësi që të zgjatet sezoni edhe me rezervime indivuduale, që janë në rritje”, tha Astrit Kurti.
“Shtatori vazhdon i mirë sepse Durrësi është ideal për plazh. Preferohet nga ata që preferojnë pushime të qeta. Muaji tetor ka goxha rezervime nga vendet nordike, gjermanët, e shohin si vend ideal që vendosin të vijnë në Shqipëri për shkak të klimës, por edhe si destinacion i ri që duan ta vizitojnë”, shtoi Blerim Norja.
“Sezoni tashmë është shtrirë, ka kapur edhe muajin shtator, kjo duket nga nr i vizitorëve që kanë planifikuar të vijnë, 70% kapaciteti i mbushur. Kemi pasur një sezon të mirë, ka filluar në mars me turizëm kulturor, më pas në qershor nisi turizmi bregdetar, në shtator vazhdojmë akoma edhe për shkak të kushteve atmosferike dhe shumë turistë që duan pushime të qeta, kanë planifikuar në këtë muaj.”, deklaroi kreu i operatorëve turistikë në Vlorë Vasil Bedinaj.
Pas shtatorit, dyndjen më të madhe e kanë turet kulturore. “Pas shtatorit, turizmi ndahet në dy kategori, ajo e tureve kulturore që ka edhe peshën më të madhe. Turet kulturore masive nisin pas mesit të shtatorit. Nga ana tjetër, varësisht kohës, kemi edhe turistë që vijnë për plazh edhe gjatë tetorit. Nuk flasim për shfrytëzim të kapaciteteve akomoduese 100%, por ka hotele që i kanë 50% të kapaciteteve të zëna. Turet kulturore gjatë periudhës janar-maj, kanë qenë me një rritje të qëndrueshme rreth 35%. Edhe vjeshta ka një rritje të konsiderueshme dhe do të ketë rritje në krahasim me vitin e kaluar. Turizmi kultutor është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Tirana është kampion. Ka fluks shumë të madh në Gjirokastër dhe Berat. Por ka pasur rritje të madhe edhe në Shkodër, Durrës, Korçë dhe Elbasan. Turistët kultutorë janë pothuajse nga gjithë bota, nga Azia, nga Evropa, nga Amerika, kemi edhe nga Afrika.”, tha Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.
Thirrja e vazhdueshme që bëhet nga tur-operatorët është për më shumë investime infrastrukturore, që të bëhen destinacione të vizituara edhe atraksione që sot nuk arrihen dot për shkak të mungesës së rrugëve.