Lideri demokrat Sali Berisha ka ngritur shqetësimin për censurimin që u bëhet sot shqiptarëve, më e pashembullta sipas tij, që prej kohës së diktaturës.
Sipas Berishës, qytetarët shqiptarë janë subjekt i një agresioni të paparë mediatik, nga propaganda e Ramës dhe e qeverisë së tij, me qëllimin e vetëm për t’i mashtruar ato.
Në ditën e 235 të qëndresës qytetare, Berisha tha se mediat qeveritare që ushqehen me paratë e taksëpaguesve, kanë si qëllim vetëm pëe të sulmuar opozitën dhe mashtruar qytetarët.
Fjala e Berishës:
Të dashur miq! Në këtë regjim e kërcënuar gjer në palcë nuk është vetëm gjendja ekonomike, nuk janë vetëm liritë dhe të drejtat. E kërcënuar gjer në palcë në këtë regjim është vetë jeta e shqiptarëve. Në një vend ku 18% e fëmijëve nuk marrim dot më shumë se 1 apo 2 vakte në ditë, në atë vend ulërijnë sirenat e urisë, sirenat e skamjes. Natyrisht për ata që kanë veshë dhe i dëgjojnë, për ata që kanë zemër, kanë ndjenja, por jo për shushunjat, jo për qeveritarët për të cilët qytetarët nuk ekzistojnë, për të cilët jeta e tyre nuk ka vlerë. Debat i madh, diskutime, artikuj në Shqipëri dhe në botë për kontrabandën, për trafikun e lëndëve helmuese, eksportin e tyre nga Shqipëria.
Para katër ditësh, ministria e Mjedisit mashtroi shqiptarët se ata nuk kishin dhënë autorizim, rezulton se ajo ministre e antimjedisit për të cilën jeta e qytetarëve nuk ka ndonjë vlerë, kishte dhënë me vulë dhe me firmë, licencën dhe autorizimin. Por përsëri, ju them, akti më i paimagjinueshëm ishtë ndërrimi i kodeve nga lëndë helmuese, në lëndë jo helmuese.
Nga lëndë të rrezikshme në lëndë të parrezikshme. Nuk ka akt më kriminal se ky. Kjo tregon se përfaqësuesi i Edi Ramës është aty për të lejuar, për të falsifikuar, për të maskuar, çdo lloj trafiku në Shqipëri. Miqtë e mi! Diabolik dhe antishqiptar, ç’njerëzor dhe të pamëshirë, donin të përlyenin eksportin e mineraleve nga Kosova me eksportin e lëndëve helmuese, të fshehura me etiketë si jo helmuese, nga mafia qeveritare shqiptare.