Fluksi i madh i lëvizjeve të makinave në fundjavë, ka detyruar Policinë Rrugore të intensifikojë masat për kontrollin e akseve kryesore rrugore, sidomos në ato segmente ku lëvizja e makinave është edhe më e madhe.
Në qendër të vëzhgimit të policisë janë akset rrugore që të çojnë drejt plazheve dhe zonave turistike. Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, apeloi të premten për kujdes të shtuar për të gjithë përdoruesit e rrugës, të cilët për shkak të ngarkesës së trafikut në disa akse rrugore, manifestojnë sjellje agresive dhe të rrezikshme për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.
“Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe për të parandaluar aksidentet rrugore strukturat e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në të gjitha rrugët dhe nyjet problematike, të pajisura me pajisje teknologjike të avancuara, jo vetëm për të rregulluar trafikun, por edhe për të parandaluar dhe konstatuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që janë burim aksidentesh.”, -thuhet në njoftim.
Policia Rrugore apelon për respektim të normave të shpejtësisë për të mos parakaluar, për të qëndruar në radhë në raste fluksi apo ngadalësimi të lëvizjes dhe për të përdorur rrugë alternative.