Fiorentina ka marrë një fitore të vuajtur në transfertën e Chievos, ku janë dashur 7 gola dhe një karton i kuq për të marrë tre pikë. Një ndeshje e çmendur me kuptimin e plotë të fjalës. Skuadra nga Firence kaloi në avantazh të dy golave në pjesën e parë me anë të Muriel dhe Benassi, ndërsa Stepinski i çoi në dhomat e zhveshjes në rezultatin 2-1.
Pjesa e dytë ishte spektakolare, Benassi prek topin me dorë në vijën fatale, karton i kuq dhe penallti. Pellissier ekzekuton saktë dhe barazon shifrat, ndërsa në minutën e 79’-të Cheisa i kundërpërgjigjet me një gol të bukur në kundërsulm.
Në momentin më të mirë për të barazuar sërish shifrat Pellissier gabon në penalltinë e dytë. Por, në anën tjetër Chiesa ka ndezur motorët dhe shënon golin e dytë personal, e të katërtin për skuadrën. Një minutë para fundit është Djordjevic që shënoi golin e tretë për vendasit dhe hapi ndeshjen. U zhvilluan edhe 5 minuta shtesë të vuajtura për skuadrën vjollcë, por në fund ia dolën të largohen fitues edhe pse luajtën për 30 minuta me një lojtar më pak.
Chievo vijon të mbetet në vend të fundit me 8 pikë, ndërsa Fioretnina ngjitet në vend të 9-të me 30 pikë.