Aktualisht përflitet për dy viktima nga gripi i derrit, por një emër është konfrmuar në mënyrë zyrtare. Ai është Arben Sula nga qyteti i Elbasanit. Fillimisht u dyshua se 48-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e gripit të derrit, por shefja e repartit të reanimacionit në Sanatorium, në një prononcim për mediat u shpreh se kjo gjë nuk është konfirmuar ende nga analizat.
Alma Çani bën me dije se 48-vjeçari Arben Sula kishte grip të zakonshëm, dhe se gjendja e tij u komplikua si pasojë e problemeve të tjera shëndetësore, pasi vuante nga mushkëritë.
“Ka ardhur në spitalin tonë me një gjendje të vështirë shumë në frymëmarrje, u detyruam ta fusnim në asistencë me frymëmarrje artificiale. Fatkeqësisht vuante edhe nga mushkëritë, pasi ishte alkoolist dhe pavarësisht ndihmës intensive, nuk mundi të mbijetonte. Përsa i përket gripit, në çdo vit presim raste të tilla, sidomos në ndryshimin e temperaturave dhe në rastin konkret nuk kemi ndonjë konfirmim të gripit të derrit, por janë elementë të gripit sezonal. Aktualisht janë tetë të shkruar jo për grip derri, por sezonal”, u shpreh ajo.
Po kështu mjekja thotë se nuk ka vend për alarm. Sipas saj, agresiviteti i virozës nuk është aq i madh sa vitet e kaluara. “Këto janë të përvitshme për ne, dhe agresiviteti i virozës sivjet nuk është aq i madh sa vitet e kaluara”, përfundoi Alma Çani.