Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari nga Turqia në Shqipëri.
Sipas SPAK, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë është depozituar kërkesa për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025, ndaj të pandehurve Zef Mali, Kreshnik Domi dhe Jemine Çoku.
Zef Mali, në kohën e ngjarjes oficer në Gardën e Republikës, dhe Kreshnik Domi akuzohen se në bashkëpunim kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, ndërsa Jemine Çoku akuzohet për të njëjtën vepër penale.
Nga hetimet rezulton se Mali dhe Domi i kanë kërkuar dhe marrë 20 mijë euro Jemine Çokut, duke i premtuar se do të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për transferimin në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar në Turqi.
SPAK bën me dije se nga janari deri në tetor të vitit 2025, gjatë kohës që procedura e transferimit ishte në zhvillim, të pandehurit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Çokun dhe familjarët e saj, duke i siguruar se kishin mundësi të ndërhynin në proces.
Prokuroria thekson se gjatë hetimit është konstatuar edhe nisja e procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit në Shqipëri.















