Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi një strategji të re për forcimin e sulmeve në thellësi të territorit rus, duke theksuar se rafineritë ruse “po paguajnë tashmë një çmim të rëndë për luftën” në Ukrainë.
Gjatë mbledhjes së Komandës së Lartë Ushtarake, Zelensky përcaktoi objektiva të rinj për zgjerimin e hartës së sulmeve me rreze të gjatë të forcave ukrainase, siç bëri të ditur në një postim në Facebook.
Në takim morën pjesë përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe zyrtarë përgjegjës për përdorimin e këtyre armëve. Tema qendrore ishte aftësia e Ukrainës për të vendosur atë që presidenti e quajti “sanksione të largëta” ndaj Federatës Ruse, pra, goditje të synuara në thellësi të territorit rus.
Pjesëmarrësit analizuan efektivitetin e sulmeve me rreze të gjatë që janë kryer kohët e fundit. “Industria ruse e naftës po paguan tashmë një çmim të rëndë për këtë luftë dhe do të paguajë edhe më shumë,” theksoi Zelensky.
Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se po zhvillohet bashkëpunim me prodhuesit e armëve për nënshkrimin e kontratave afatgjata trevjeçare.
Sipas tij, këto marrëveshje do të mundësojnë një planifikim më të mirë të përdorimit të burimeve, si dhe rritjen e prodhimit dhe furnizimeve për forcat e armatosura të Ukrainës. Ai shtoi se numri i këtyre kontratave pritet të rritet ndjeshëm në periudhën e ardhshme.
Gjatë mbledhjes u prezantuan gjithashtu raporte mbi sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa u përcaktuan nevoja dhe prioritete të reja mbrojtëse për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes ajrore.
“Partnerët tanë disponojnë sistemet e nevojshme, dhe është jetike që diplomacia ukrainase të veprojë edhe më me vendosmëri për përgatitjen e vendimeve përkatëse,” u shpreh Zelensky, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës.















