Nga Janush Bugajski “Center of European Policy Reform”/ Vitin e ardhshëm, dy mosmarrëveshje të pazgjidhura ndërshtetërore mund të zgjidhen, duke kontribuar kësisoj në bashkëjetesën rajonale. Së pari, dialogu Kosovë-Serbi mund të lëvizë në njërin nga dy drejtimet:konstruktive ose destruktive. Një dialog konstruktiv, që sjell rezultate konkrete, do të kulmonte me njohjen e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur.
Kjo mund të përshpejtohet përmes ndryshimit të kufijve apo shkëmbimeve të kufizuara territoriale, ose ndonjë marrëveshje tjetër ndërqeveritare. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, do t’i jepte mundësinë të dyja vendeve të ndjekin lirisht aspiratat e tyre për anëtarësim në BE, dhe Kosova mund të përqendrohet më intensivisht në zhvillimin e strukturës së saj të sigurisë, dhe synimin për t’u bërë pjesë e NATO-s.
Ndërkohë, një skenar shkatërrimtar, do të tregonte se bisedimet Prishtinë-Beograd do të ndërpriteshin për një kohë të pacaktuar. Më pas, frustrimet e opinionit publik do të rriten për shkak të një izolimi më të thellë të Kosovës, ekonomisë në ngërç, dhe me njerëzit më të arsimuar që do vazhdojnë të emigrojnë jashtë vendit.
Kjo do ta bënte vendin më të prekshëm nga populizmi dhe nacionalizmi, do të përshkallëzonte mosmarrëveshjet ndëretnike, si dhe do të rriste ndjeshëm tensionet me shtetet fqinje. Radikalizmi në Prishtinë, mund të ndizet nga frustrimi publik me kushtet e vështira ekonomike, dhe nga izolimi ndërkombëtar i Kosovës, duke përfshirë vonesat në liberalizimin e vizave me BE-në, përjashtimin nga Interpoli, dhe mungesën e progresit drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Javët e fundit, qeveria në Beograd ka intensifikuar fushatën e saj kundër njohjeve të reja të Kosovës, me mbi një duzinë shtetesh të vogla në Afrikë dhe në Paqësor të shënjestruara nga zyrtarët serbë, një aksion të cilin zyrtarët në Prishtinë thonë se shoqërohet me ryshfete.
Disa politikanë të Kosovës, po përballen ndërkaq me rrezikun e një ndjekje të mundshme penale, pasi Gjykata Speciale për Krimet e Luftës, ka filluar të intervistojë dëshmitarët që do të dëshmojnë në Hagë. Prishtina është e shqetësuar se objektivi ose rezultati, do të jetë delegjitimimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe nxitja e pretendimeve të Serbisë kundër Kosovës.
Njëherazi, përfaqësuesit e zgjedhur të pakicës serbe, vazhdojnë të bojkotojnë institucionet e Kosovës në instruksionet e Beogradit, ndërsa mbizotëron pasiguria mbi ndryshimet potenciale të kufirit, dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e vendit.
Presione të tilla, mund të jetë pjesë e një skenari të Beogradit për të dështuar negociatat përpara bisedimeve dypalëshe, ose mund të jenë pjesë e një strategjie të dizajnuar për të treguar që Kosova është një shtet i dështuar. Në morimë e ankesave të shtuara, qeveria në Prishtinë llogarit se duhet të afirmojë veten në skenën ndërkombëtare.
Prandaj, ajo miratoi së fundmi një ligj të ri për krijimin e një ushtrie të Kosovës, pavarësisht kundërshtimit nga Serbia, dhe disa zyrtarëve të BE-së dhe NATO-s. Parlamenti miratoi kohët e fundit transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës prej 3.000 trupash, në një ushtri të përbërë nga 5.000 trupa në aktivitet të plotë, dhe 3.000 rezervistë gjatë dekadës së ardhshme.
Një deklaratë mbështetëse nga administrata amerikane mbi përparimin e Prishtinës, tregon se nëse zbaton reformat e nevojshme, Kosova ka gjasa t’i bashkohet NATO-s shumë kohë përpara Serbisë. Sipas kushtetutës së Kosovës, përfaqësuesit e pakicave serbe duhet të përfshihen në procesin e ligjbërjes për krijimin e një ushtrie, por Kosova nuk mund të qëndrojë në vend-numëro, për shkak të bojkotit të tyre të vazhdueshëm parlamentar.
Prishtina, po e afirmon pozocionin e vet duke imponuar tarifa në nivelin 100 për qind për importet serbe dhe boshnjake, në shenjë hakmarrje ndaj Beogradit dhe Sarajevës, që krijuan një çekuilibër të madh tregtar duke bllokuar importet nga Kosova. Kjo i ka sjellë qeverinë aktuale një popullaritet të brendshëm të rëndësishëm, duke demonstruar se ajo nuk është më pasive.
Në vend ekziston një pakënaqësi e madhe për BE-në, që sipas opinionit publik favorizon Serbinë, dhe injoron mënyrën se si Beogradi po e diskriminon Kosovën, dhe destabilizon rajonin përmes lidhjeve të tij të ngushta me Moskën.
Pa një tregti të ndershme, tregje të hapura, stabilitet shtetëror dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, investitorët do të largohen nga Kosova, dhe ekonomia do të bjerë. Mosmarrëveshja e dytë e vazhdueshme rajonale midis Maqedonisë dhe Greqisë, është në prag të zgjidhjes. Deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, parlamenti maqedonas do të ratifikojë ndryshimet kushtetuese për të përshtatur emrin e vendit në Republika e Maqedonisë Veriore.
Kjo do të pastronte rrugën drejt anëtarësimit në NATO, dhe do të ndihmojë ecjen e vendit drejt anatarësimit potencial në BE dekadën e ardhshme.
Sidoqoftë, ekziston ende mundësia që procesi mund të sabotohet. Për shembull, qeveria maqedonase nuk mund të mbledhë dy të tretat e deputetëve të nevojshëm, për të ratifikuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, ose qeveria greke mund të përballet me kundërshtim të ri ndaj marrëveshjes me Shkupin, në mesin e thirrjeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në skenarin më të keq, Maqedonia do të refuzojë ndryshimin e emrit, dhe t’i kthehet statusit të saj të ngrirë, në raport me perspektivën e hyrjes në NATO-s dhe BE.
Qeveria e moderuar e socialdemokratëve do të bjerë, ekonomia do të bjerë, do të rritet nacionalizmi, tensionet etnike, teksa edhe trazirat civile do të përshkallëzohen. Në vend se të bëhet një shtyllë e sigurisë rajonale, Maqedonia do të jetë një faktor destabiliteti, ku do të tërheqë në konflikt secilin nga 4 shtetet e saj fqinje.
Viti 2019, mund të jetë një vit i suksesit ose i dështimit. Është përgjegjësi e udhëheqësve të shteteve, që të ndërmarrin hapa të guximshëm, dhe të veprojnë në emër të interesave afatgjata të kombeve të tyre, dhe jo të përparësive afatshkurtra personale të postit politik që ata mbajnë. TIRANA TODAY