Një mendimtar rus, i cili shkruan për “The Russian International Affairs Council” (RIAC), ka bërë një analizë të gjerë për negociatat Kosovë –Serbi. Aty flitet për mundësinë e përfshirjen se Rusisë në këtë proces dhe për rolin ose garën diplomatike që janë duke e bërë shtetet të fuqishme të globit si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuara, Franca, Gjermania, Bashkimi Europian dhe Turqia.
Analiza konstaton rolin prijës të SHBA’së në rajon dhe në procesin për Kosovën duke theksuar se SHBA’të do të japing maksimumin për këtë proces në pjesën e parë të këtij viti.
Por si mund të përfshihet Rusia sipas RIAC?
“Si përgjigje ndaj përpjekjeve të Shtetevet të Bashkuara për t’u përfshirë në procesin e negociatave për Kosovën, të cilat janë në pritje të mbështetjes nga Beogradi, Moska mund ta ofrojë mundësinë e zgjerimit të çështjes së Kosovës në formatin e ashtuquajtur “zgjidhja në pako”, e cila ishte modeluar në “Konferencën e Paqes” (Grupi i Kontaktit 2.0), ku do të përfshihej një numër i caktuar i shteteve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Turqia, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe” theksohet në analizë.
“Kjo do të bëhej brenda kornizës së negociatave të vazhdueshme, për shembull, në Vjenë ose Bruksel. Një format i tillë është diskutuar për një kohë të gjatë në qarqet diplomatike në Ballkan për shkak se kjo do ta mundësonte gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për të gjitha çështjet e lindura pas shpërbërjes së Jugosllavisë përmes disa shkëmbimeve territoriale dhe manovrave të ndryshme politike dhe diplomatike” vazhdon tutje analiza.
Po ashtu RIAC përmend edhe takimin Thaçi – Putin në Francë, rolin e Macron, tërheqjen e Mercel, heshtjen e Turqisë për shkak të afërsisë me Beogradin ndërkohë që jepen edhe disa detaje për një takim të fshehtë Thaci – Vuçiq në Vatikan.
Lexojeni të plotë artikullin.
Negociatat për Kosovën më 2019 – Mundësitë dhe kufizimet për Rusinë
Gjatë pjesës së parë të vitit 2018, u duk sikur negociatat për Kosovën po vazhdojnë në mënyrë të suksesshme drejt fazës përfundimtare. Brukseli triumfalisht raportoi për një lloj vendimi (që në fakt asnjëherë nuk është paraqitur publikisht), i cili në fund të vitit do ta mundësonte arritjen e marrëveshjes finale. Megjithatë, që nga vjeshta e vitit 2018, bisedimet dypalëshe mes serbëve dhe shqiptarëve u zëvendësuan gradualisht me provokime dypalëshe, duke bërë që vendimi final, i cili përfshin shkëmbimin e territoreve dhe demarkacionin, të bëhet gjithnjë e më pak i pranueshëm.
Që nga viti 2009, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është transferuar nga ndërmjetësimi i Kombeve të Bashkuara nën jurisdiksionin e Bashkimit Evropian. Në sytë e politikanëve të Bashkimit Evropian, shfrytëzimi i mundësisë për zgjidhjen e pavarur të çështjeve të mbetura të sigurisë dhe mënjanimi i të gjitha elementeve të tyre të ndjeshme ishin jetike për ta shmangur përshtypjen se BE-ja është e paaftë për të zgjidhur probleme të mëdha të politikës së jashtme.
Zgjidhja për Kosovën ishte premtuese në këtë aspekt, duke pasur parasysh të gjithë faktorët e përfshirë: pozita pothuajse e pashpresë negociuese e Beogradit, vendosmëria e shqiptarëve të Kosovës, fakti që rreth 100 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si dhe marrëdhëniet e vjetra me shekuj të shteteve kryesore të Evropës Perëndimore me këtë rajon. Basti ishte vënë për bisedime teknike, me fjalë të tjera, për arritjen e kompromisit për një numër të caktuar të çështjeve të cilat ishin vlerësuar të rëndësishme për funksionimin ditor të rajonit. Plani ishte që të neutralizohet (deri në një masë të caktuar) faktori jashtëzakonisht i ndjeshëm politik – Beogradi do ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe vendi do t’i fitonte të gjitha tiparet e një shteti sovran.
Basti për bisedime teknike nuk mundi ta kalojë testin në praktikë. Një varg veprimesh që u ndërmorën nga Prishtina në vjeshtën e vitit 2018 dhe vlerësimi i këtyre veprimeve nga Beogradi si tepër jomiqësore, të cilat i kërcënojnë drejtpërdrejt serbët, i bllokuan negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, duke shpërfaqur njëherësh paaftësinë e BE-së për të vepruar si ndërmjetëse aktive në këtë proces. Ajo që bëri Prishtina në nëntor të vitit 2018 ishte prezantimi i taksave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, njoftimi për themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe një platformë tepër të ngurtë për dialogun e ardhshëm me Beogradin, e cila u promovua nga qeveria e Ramush Haradinajt.
Negociatat janë “de facto” në proces të mbledhjes së një vargu më të gjerë pjesëmarrësish. Shtetet e Bashkuara nuk e fshehin pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë. Përpjekjet e Francës dhe të Britanisë së Madhe për të vepruar të pavarura nga Bashkimi Evropian janë gjithashtu të qarta. Brenda kësaj kornize, Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe si pjesëmarrëse në të gjitha negociatat e kaluara në Ballkan që nga shekulli i nëntëmbëshjetë e tutje, e ka fituar mundësinë për t’u përfshirë në arritjen e marrëveshjes për çështjen e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kjo ishte më së paku një mundësi e mirë për ta siguruar pozicionin e saj në rajon dhe më së shumti për ta ndezur motorin e fikur të historisë evropiane.
Reagimi i faktorëve ndërkombëtarë për Kosovën gjatë periudhës shtator-dhjetor 2018
- Letrat e Donald Trumpit për Hashim Thaçin dhe Aleksander Vuçiçin – Rikthimi aktiv i Shteteve të Bashkuara në dialog
Zbrazëtia e krijuar nga fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe “largimi” gradual nga Evropa u zëvendësua me aktivitete të shpeshtuara të administratës amerikane në rajon gjatë vitit 2018. Rasti më i fundit deri tash ishte rundi i negociatave mes Maqedonisë dhe Greqisë. Një shembull tjetër ishin zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë. Pavarësisht faktit se Milorad Dodiku është në listën e të sanksionuarve të Shteteve të Bashkuara, Uashingtoni pret stabilitet më të madh të udhëheqësisë sesa më parë dhe në mënyrë të hapur po dërgon porosi për ndëshkim të mundshëm për ata që do ta frymëzojnë “mosfunksionimin” e shtetit boshnjak. Objektivi i tyre i fundit është Kosova.
Në njërën anë janë letrat e Trumpit për Aleksander Vuçiqin dhe Hashim Thaçin si thirrje për ta vazhduar dialogun dhe në anën tjetër është propozimi amerikan për ta marrë rolin kryesor të ndërmjetësit. Letra e presidentit amerikan për dy presidentët ballkanikë ishte një porosi që përbënte një nismë të veçantë: brenda saj kishte ftesë për ta vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe për ta festuar marrëveshjen historike së bashku. Përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mund ta dobësonte jo vetëm ndikimin e Bashkimit Evropian, por edhe të Turqisë dhe Rusisë në Ballkan. Kjo do ta sjellë themelimin e një force të vetme dominuese në Ballkan. Për më tepër, ndryshimet e këtilla në formatin e këtij procesi mund t’i shkëpusin negociatat nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke e dobësuar kredibilitetin e sistemeve ligjore ndërkombëtare dhe rendit botëror. Këtë gjë e ka dëshiruar gjithmonë presidenti amerikan. Në një masë të caktuar, kjo çështje tërësisht rajonale do të mund t’ia dhuronte Uashingtonit mundësinë për ta rifituar statusin e “rojtarit të rendit botëror”, të cilin e ka humbur në pjesë të madhe në fillim të këtij shekulli.
- BREXIT-i dhe intensifikimi i politikës britanike në Ballkan
Historikisht, Britania e ka përdorur pozicionin e saj në Ballkan në atë mënyrë që ta mënjanojë forcimin e Evropës kontinentale, veçanërisht të Gjermanisë dhe Rusisë. Për këtë arsye, situata e paqëndrueshme në rajon shkon më tepër në interes të Londrës. Rrjedhimisht, ky vend e ofroi mbështetjen e qartë për themelimin e ushtrisë së kosovës, pavarësinë e Kosovës dhe dëshirën për të vepruar si faktor i pavarur për arritjen e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës (sipas disa burimeve, takimi i fshehtë i Vuçiçit me Thaçin në Vatikan për themelimin e ushtrisë së Kosovës në pjesën e parë të nëntorit të vitit 2018 ka qenë i organizuar nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe Aleksander Sorosi). Për më tepër, britanikët tradicionalisht dhe në mënyrë goxha të arsyeshme besojnë se politikat e Gjermanisë dhe Rusisë janë më të pranueshme nga klasa politike serbe, prandaj ata parapëlqejnë të mbështeten në Shqipërinë. Zgjerimi i ndikimit te popullsia shqiptare është njëri nga faktorët kryesorë që siguron paprekshmërinë e zonës britanike të interesit në Greqi dhe Qipro. Rikthimi i flotës britanike në Detin Mesdhe pasqyron dëshirën e Britanisë për të fituar terren në Libi dhe në pjesë të tjera të Afrikës. Përgjatë viteve të kaluara, Londra e ka zgjeruar në mënyrë aktive ndikimin e saj në sektorin e organizatave joqeveritare (veçanërisht përmes këshillimeve të Tony Blairit dhe politikanëve tjerë britanikë me përfaqësues të autoriteteve serbe) dhe e përfshin përkrahjen e OJQ-ve brenda kornizës së KFOR-it.
- Letra e presidentit francez, Emmanuel Macron, për Hashim Thaçin
Manifestimi për shënimin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore u mbajt në Paris. Në këtë ngjarje, Hashim Thaçi, kryetari i një shteti që as nuk ekzistonte gjatë asaj lufte, qëndronte menjëherë pas presidentit rus, ndërsa Aleksander Vuçiqi, kryetari i një kombi fitues në atë luftë, ishte vendosur prapa, diku në rreshtat e fundit. Pas ceremonisë dhe anulimit të vizitës së Makronit në Beograd (për shkak të protestave në Francë), ekzistonte përshtypja se Franca e ka humbur një mundësi për t’u angazhuar në mënyrë aktive në negociatat për Kosovën, të cilat dukeshin prioritet në fillim të mandatit të Makronit. Letra e tij për Hashim Thaçin në lidhje me praninë e tij në ceremoninë e Parisit më shumë dukej si shenjë e mbështetjes, sesa si përpjekje për ta “rezervuar” një rol të caktuar. Sidoqoftë, është Aleksander Vuçiqi ai që në fakt po pret mbështetje nga Parisi. Për Vuçiqin është e rëndësishme që të tregojë se serbët nuk janë të vetmuar në këtë moment të trazuar. Prandaj, Franca sigurisht se do të përpiqet edhe një herë të bëhet faktor jetik në çështjen e Kosovës në të ardhmen e afërt.
- Qëndrimi i Berlinit ndaj pavarësisë së Kosovës
Vendimi i Angela Merkelit për t’u tërhequr gradualisht nga skena politike e Gjermanisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në çështjen e Kosovës. Në fakt, kjo gjë ia hap edhe më shumë rrugën Shteteve të Bashkuara që të përfshihen aktivisht në negociata. Roli që e ka pasur Gjermania për fitimin e pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës është shumë i njohur. Përveç kësaj, duke qenë faktor thelbësor për kriminalizimin e shoqërisë gjermane, vetë faktori shqiptar ka rol të rëndësishëm në politikën e këtij shteti. Gjermania fillimisht ishte kundër planit për demarkacionin e kufirit, gjë që vazhdon të ketë ndikim në gjasat për arritjen e marrëveshjes mes Vuçiqit dhe Thaçit. Megjithatë, zvogëlimi i ndikimit personal të Angela Merkelit po e dobëson edhe mundësinë e Berlinit për të ndikuar në rezultatin e negociatave.
- Turqia po vazhdon të heshtë
Është e rëndësishme të theksohet se Turqia, një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm rajonal dhe njëra nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që ka vendosur marrëdhënie diplomatike e ekonomike me të, në asnjë mënyrë nuk po e qartëson pozicionin e saj në këtë kohë. Sipas të gjitha gjasave, kjo po bëhet për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve mes Erdoganit dhe Vuçiqit dhe për shkak të faktit se turqit kanë prioritete në Lindje të Mesme dhe në Mesdhe kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Në asnjë rrethanë nuk ka arsye që të pritet një përfshirje thelbësore dhe e pavarur e Turqisë në çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, gjasat që Turqia t’i bashkohet procesit bashkë me disa shtete tjera, siç është Rusia, duken të mundshme dhe të dëshirueshme brenda kontekstit të rritjes së pjesëmarrësve në këtë proces.
- Komentet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë
Komentet e Ministrisë së Jashtme të Rusisë për dënimin e themelimit të ushtrisë së Kosovës u paraqitën në mediet serbe si përkrahje e hapur e Moskës për Beogradin. Sigurisht, përfaqësuesit e partive udhëheqëse (veçanërisht Ivica Daçiqi, udhëheqësi i Ministrisë së Jashtme të Serbisë) e shfrytëzuan këtë deklaratë, duke thënë se nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen në negociata në anën e Prishtinës, Beogradi do të kërkojë nga Rusia që të përfshihet në anën serbe. Manovrat e tilla nga autoritetet serbe, të cilat janë mësuar ta shfrytëzojnë “kartën ruse” kurdo që është e mundur për zgjidhjen e problemeve të brendshme politike, e krijojnë efektin e “pritjeve joreale nga Moska”. Ky efekt përforcohet nga disa qarqe të ekspertëve rusë të politikës, të cilët raportojnë për nevojën e rritjes së pranisë ushtarake të Moskës në rajon për ta baraspeshuar ndikimin amerikan. Megjithatë, kjo po bëhet në rrethanat kur është e qartë se lokacioni gjeografik (vendi nuk ka dalje në det) dhe mjedisi gjeopolitik i Serbisë (të gjitha vendet fqinje janë anëtarë të NATO-s) nuk do të lejojnë që kjo të ndodhë pa një kërkesë zyrtare nga Beogradi, që ndodhet në gjendje lufte.
Përpos fakteve të përmendura më sipër, mediet pro-perëndimore po e shfrytëzojnë boshllëkun mes pritshmërive dhe praktikës aktuale të bashkëpunimit mes Beogradit dhe Moskës, duke vënë në pah atë që sollën për Jugosllavinë pritshmëritë për mbështetjen e Rusisë në vitet e nëntëdhjeta. Në këtë mënyrë, vizita shtetërore e Vladimir Putinit në Beograd më 17 janar u mbështet në bazën se është ngushtuar hapësira për ndonjë manovër. Askush nuk do të dyshonte që Moska do të angazhohej në mënyrë aktive në procesin e negociatave ose të paktën se do të deklarohej për qëllimet e veta. Nëse e bën këtë, sigurisht se do të rreshtohet në anën e Serbisë. Kjo rrethanë e ngrit vizitën e presidentit rus në Beograd në nivelin e “ngjarjes historike”.
Mënyrat e mundshme të përfshirjes së Rusisë: Arritja e marrëveshjes për Kosovën dhe zgjidhja e çështjeve tjera ballkanike
Në njërën anë, sikur Moska ta mbështeste Beogradin, nuk do të krijonte asgjë tjetër përpos zhvillimin e një zone shtesë të konfrontimit mes Rusisë dhe Perëndimit, përderisa pozicionet ushtarake dhe politike të Kremlinit nuk do të ishin mjaftueshëm të fuqishme dhe përfitimet e mbajtjes së një pozicioni të caktuar në negociatat dypalëshe nuk do të ishin të qarta. Në anën tjetër, mospjesëmarrja në zgjidhjen e kësaj çështjeje, veçanërsiht në rast të pranimit të ftesës së drejtpërdrejtë nga Beogradi, Moskës do t’ia shkaktonte:
– Tërheqjen nga Ballkani, duke i lënë Shtetet e Bashkuara në rolin e faktorit mbizotërues në rajon;
– Vendosjen përfundimtare dhe të pakundërshtueshme të NATO-s në rajon;
– Goditjen e jashtëzakonshme të qëndrimeve dhe perceptimeve të Rusisë për ndikimin gjeopolitik të saj, që në mënyrë të pashmangshme do të kishte ndikim në pozicionet e Rusisë në Bullgari, Greqi dhe në një masë të caktuar edhe në Turqi;
– Një pranim “de fakto” se Moska është e paaftë për të pasur ndikim të vërtetë në proceset evropiane.
Skenari alternativ i përfshirjes
Aktivizimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan është i shprehur në:
– Dialogun mes Maqedonisë dhe Greqisë;
– Synimet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO;
– Porositë dërguar Sarajevës;
– Letrat e Trumpit për Vuçiqin dhe Thaçin;
– Mesazhet e dërguara në mënyrë të hapur në rajon në baza ditore (përmes faqeve zyrtare të internetit të ambasadave amerikane dhe rrjeteve sociale).
Tërë kjo e përforcon faktin se Shtetet e Bashkuara po bëhen faktori kryesor për marrëveshjen e ardhshme për Kosovën. Mbështetja amerikane për krijimin e ushtrisë së Kosovës ka edhe rëndësi të brendshme politike për Prishtinën dhe Uashingtonin. Prandaj, baraspesha e ndikimit mes Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili është përqendruar në kontrollin ndaj policisë dhe institucioneve tjera të sigurisë, është duke ndryshuar. Kjo e vendos edhe një baraspeshë mes forcave amerikane të sigurisë në rajon dhe Departamentit të Shtetit, që është e rëndësishme për Uashingtonin, Prishtinën dhe për tërë popullsinë shqiptare në rajon, përcjellë Express.
Gjatë pjesës së parë të këtij vitit, pritet që Shtetet e Bashkuara ta japin maksimumin për t’i vendosur bisedimet dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës në fazën finale vetëm përmes ndërmjetësimit të Uashingtonit. Megjithatë, edhe nëse ndërmjetësimi bëhet zyrtarisht nga BE-ja, kjo do të ndikonte në fuqizimin e forcave nacionaliste në rajon dhe rrjedhimisht edhe në destabilizimin e Ballkanit. Prandaj, Uashingtoni do ta shfrytëzojë këtë situatë në mënyrë të efektshme dhe goditëse me qëllim që ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në NATO.
Kjo situatë ku Brukseli mban rolin e ndërmjetësit (me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Uashingtonit) mund të bëhet prelud drejt destabilizimit të Serbisë, pas skenarit të 5 tetorit të vitit 2000. Bashkimi Evropian po shfaqet tërthorazi i gatshëm për këtë ndryshim të rrjedhës së ngjarjeve dhe protestat e opozitës si dhe protestat që e përcollën zgjedhjen e Vuçiqit në postin e presidentit para dy vjetëve po japin shenja se ky skenar është i mundshëm.
Në këtë aspekt, vizita e Vladimir Putinit do të ishte frytdhënëse për të gjitha palët brenda skenës së brendshme politike të Serbisë. Ajo do të mund ta baraspeshonte presionin në rritje ndaj Vuçiqit. Në të njëjtën kohë, kjo do të mund ta ndihmonte fuqizimin e forcave të reja pro-ruse (Qendra Kombëtare e Velimir Iliqit dhe Partia Konservatore, parti e re në skenën politike serbe). Nëse kjo nuk ndodh, “vektori rus” sipas shumë gjasave do të margjinalizohet ose do të zhduket tërësisht nga programet e partive politike serbe në zgjedhjet e ardhshme.
Brenda skenës së politikës së jashtme, pyetja kryesore është se si do të kishte mundësi Rusia ta marrë një rol udhëheqës për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të Ballkanit.
Si përgjigje ndaj përpjekjeve të Shtetevet të Bashkuara për t’u përfshirë në procesin e negociatave për Kosovën, të cilat janë në pritje të mbështetjes nga Beogradi, Moska mund ta ofrojë mundësinë e zgjerimit të çështjes së Kosovës në formatin e ashtuquajtur “zgjidhja në pako”, e cila ishte modeluar në “Konferencën e Paqes” (Grupi i Kontaktit 2.0), ku do të përfshihej një numër i caktuar i shteteve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Turqia, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe. Kjo do të bëhej brenda kornizës së negociatave të vazhdueshme, për shembull, në Vjenë ose Bruksel. Një format i tillë është diskutuar për një kohë të gjatë në qarqet diplomatike në Ballkan për shkak se kjo do ta mundësonte gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për të gjitha çështjet e lindura pas shpërbërjes së Jugosllavisë përmes disa shkëmbimeve territoriale dhe manovrave të ndryshme politike dhe diplomatike.
Zgjerimi i formatit nuk është vetëm në interesin e serbëve, por edhe të kroatëve dhe shqiptarëve (në teori, kjo do ta mundësonte zgjidhjen e tri çështjeve kryesore kombëtare në rajon përmes mënyrave zyrtare dhe legjitime). Krijimi i një formati të përhershëm dhe të vazhdueshëm të negociatave në Vjenë ose Bruksel do ta mundësonte gjithashtu edhe ruajtjen e rolit të BE-së si ndërmjetëse dhe do ta shmangte “haraçin” për shkak të vështirësive në skenën e brendshme politike në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë dhe gjithashtu do ta margjinalizonte ndikimin e grupeve kriminale që e pengojnë rrugën e arritjes së një marrëveshjeje gjithpërfshirëse.
Takimi mes Putinit dhe Thaçit në Paris në nëntor të vitit të kaluar ishte një pikë e rëndësishme fillestare për Moskën për t’i nisur disa iniciativa të jashtme që mund t’ia japin politikës ruse në Ballkan një natyrë multidimensionale. Kjo është e nevojshme për ta mbërthyer nismën e amerikanëve, të cilët kërkojnë zgjidhje formale dhe të qëndrueshme për çështjet rajonale me qëllim të destabilizimit të Ballkanin në çfarëdo momenti që u përshtatet atyre. Këto iniciativa do t’ia kthenin Rusisë statusin e “krijueses së një bote të re në Evropë” dhe kjo do t’ia bënte të pamundur skenarëve të demokratizimit me forcë që të garojnë me të.