Bujar Behrami, i njohur ndryshe si Abu Musab El-Albani – një nga gjashtë shtetas të Kosovës të akuzuar për terrorizëm nga Prokuroria e Kosovës të shtunën e kaluar – ka qenë i vetmi që ka treguar deri më tani për planet e dyshuara të grupit për të bombarduar kishat dhe klubet ortodokse në zonat me shumicë serbe dhe për të rekrutuar bombardues vetëvrasës në Kosovë.
Deklarata e tij dhënë policisë, më herët në shtator 2018, zbulon detaje rreth mënyrës së punës së grupit, financat, rekrutimin dhe gjetjen e eksplozivëve.
Behrami, Resim Kastrati, i njohur si PC Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti janë paditur të gjithë për planifikim sulmesh dhe bombardimesh vetëvrasëse në Kosovë, Francë dhe Belgjikë nga dhjetori 2017 deri në qershor 2018.
Behrami deklaroi se gjithçka filloi në shtator dhe tetor 2016, kur nëpërmjet llogarisë së tij në Telegram “Abu Musab” ai filloi të komunikonte me një person të njohur si “A1” në Siri.
“Biseduam për sulme duke përdorur Kallashnikovë apo eksplozivë dhe nuk kishim vendosur ende për objektivin, por i kërkova A1 të më lidhte me Rdvan Haqifin (një komandant shqiptar i ISIS) dhe pasi më lidhën me Haqifin, ramë dakord se do të ishte mirë të sulmonim izraelitët në ndeshjen e futbollit të planifikuar për atë vit,” tha Behrami.
Behrami tha se plani i sulmit ishte të përdorej një dron kundër tifozëve të ekipit izraelit dhe pas kësaj të vazhdonin me Kallashnikovë.
“Unë këtë ide ja thash Ridvan Haqifit dhe ai më tha se duhet të shikohet mundësia përmes Lavdrimit duke vepruar në drejtim të njerëzve të gatshëm për t’u rekrutuar”, citohet të ketë thënë Behrami.
Muhaxheri, me origjinë nga Kaçaniku në Kosovë, ishte lideri famëkeq i luftëtarëve të huaj shqiptarë të Kosovës për ISIS.
Ai u raportua se u vra nga një sulm amerikan me dron në Siri në qershor të vitit 2017. Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2014 pas publikimit të fotografive të tij teksa i priste kokën një të riu.
Behrami shtoi se ndërsa ai i prezantoi idetë e tij Muhaxherit, inteligjenca e ISIS kishte ndihmuar me aspektin e parave.
“I prezantova idenë time për sigurimin e parave dhe sulmit ndaj tifozëve dhe lojtarëve izraelitë Lavdrimit, A1-shit dhe Haqifit të cilët i siguruan paratë nga Abu Ahme, kreu i inteligjencës së ISIS,” u tha Behrami autoriteteve.
Behrami shpjegoi se sulmi do të kryhej nga tre grupe, secili me tre ose katër persona, duke vënë në dukje se ai nuk do të ishte një nga personat që merrnin pjesë.
“Unë thjesht dhashë idenë, ndërsa Ridvani, Lavdrimi dhe A1 gjetën njerëzit dhe paratë për të kryer sulmin,” tha ai.
Ai shtoi se komunikimi me Muhaxherin dhe Aqifin vazhdoi deri në vitin 2017 kur ata u vranë, pas së cilës ai komunikonte me të tjerë, “A2” dhe “A3”, përsëri nëpërmjet Telegramit.
Duke folur për planet për të sulmuar kishat serbe, Behrami u tha autoriteteve se ai fillimisht kishte kontrolluar lokacionet dhe kishte bërë disa hulumtime në internet mbi helmet dhe eksplozivët.
“Më shumë kam bërë hulumtime në Wikipedia dhe Google ku gjetjet në lidhje me eksplozivët TNT, C4, RDX , TATP dhe helmet si Sarin, Tabun, Somat dhe Clorin ia kam përcjellur A2 dhe A3,” duke shtuar se A3 pastaj shkoi në Shqipëri për t’i gjetur ato.
Ai shpjegoi se ata qenë në gjendje të gjenin eksplozivin e duhur në Shqipëri për rreth 1,000 euro për 1 kg, edhe pse me disa vështirësi.
“A3 pati vështirësi për të gjetur helmet, edhe pse ata takuan një zyrtar të lartë ushtarak për të,” tha ai.
Behrami i kërkoi A2 gjithashtu të gjente njerëz që ishin të gatshëm të sakrifikonin veten duke veshur xhaketa me eksplozivë dhe A2 më pas shkoi në Mitrovicë, Gjilan dhe Shqipëri duke kërkuar njerëz të tillë, por nuk mundi të gjente ndonjë.
Si rezultat, sulmet e planifikuara në Krishtlindjet Ortodokse në Graçanicë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren u shtynë për një festë tjetër serbe në qershor, në ditën e Shën Vitusit ose për “Vidovdan”.
“Kjo ide ishte e imja, por fillova të tërhiqesha nga ajo, sepse Abu Ahmed donte një sulm të ngjashëm me trazirat e marsit 2004, por kërkova që sulmi të ishte më i vogël,” tha Behrami.
Sipas Behramit, të gjitha planet u financuan nga Abu Ahmed përmes A4, ndërsa paratë do të dërgoheshin nga vende ish-sovjetike, si Kirgistani dhe Uzbekistani, si dhe nga Rusia.
Pesë të pandehurit e tjerë i kanë mohuar akuzat e bëra nga Prokuroria.
Gramoz Shabani, i cili dyshohet se planifikoi sulme në Belgjikë dhe Francë, kur u përball me një regjistrim audio, deklaroi se ishte thjesht një “lojë” që ishte zhvilluar gjatë një bisede me gruan e tij./ BIRN