Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për Mario Përlleshajn, i mituri që vrau me thikë para shkollës Martin Canin.
Ai akuzohet për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave. Por prokurorja Alma Felaj tha se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar Kodin Penal për të mitur përkatësisht nenin 97.
Ky nen përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite, ç’ka do të thotë se nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçja mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar, pra me 12 vite. Në seancën e ardhshme do të mbahen konkluzionet e mbrojtjes por edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara.
Hetimet për vrasjen që tronditi vendin u mbyllën në shkurt të këtij viti. Ai akuzohet për vrasje vrasje në rrethana cilësuese dhe kundër dy ose më shumë personave, pasi përfshin edhe veprimet në dëm të të miturve M.C. dhe L.M.
Gjithashtu, nga ana e organit të akuzës është vendosur ndarja e akteve të këtij procedimi, të akteve që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës” lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës, të cilat janë regjistruar në një procedim tjetër.
Për këtë procedim vazhdojnë hetimet pasi, sipas prokurorisë, është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.
Përlleshaj kërkoi që për të, të ndryshohej masa e sigurisë dhe të ishte në “arrest shtëpie”. 14-vjeçari ndodhet në institutin për të mitur në Kavajë.
Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” më 18 nëntor të vitit të kaluar. Pra nesër bëhet 1 vit. Vetëm disa ditë para krimit, adoleshentët ishin konfrontuar me njëri-tjetrin, dhe shkolla pretendoi se i kishte ballafaquar të miturit dhe pas kësaj ishin pajtuar, por në fakt, konflikti vijoi disa ditë më pas sapo fëmijët lanë ambientin e shkollës, ku u regjistruar disa metra larg saj edhe ngjarja e rëndë.











