Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në deklaratën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, Çela e cilëson këtë ngjarje si shumë të rëndë, jo vetëm për pasojat njerëzore, por edhe për cënimin e thelbshëm të funksionimit të shtetit ligjor dhe të institucioneve të drejtësisë.
“Ngjarja e sotme ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, por në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor,” – thuhet në reagimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Çela u shpreh se i ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa bën thirrje për ndërgjegjësim të përgjithshëm dhe rritje të sigurisë për magjistratët në të gjitha aspektet.
Në vijim të reagimit, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, që të zhvillojë një hetim të shpejtë dhe të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit.
Reagimi i plotë:
Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor.
Prokurori i Përgjithshmëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistrateve në të gjitha aspektet.
Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.