Pablo Eskobar mbahet mend si një nga baronët më të mëdhenj të prodhimit dhe shpërndarjes së drogës në histori, por ai kujtohet edhe si një vrasës i pashpirt.
Megjithatë futbolli dhe dashuria për këtë sport bëri që bosi i famshëm kolumbian të vendoste të mos vriste atëherë ish-yllin argjentinas, tashmë trajner i Perusë, Rikardo Gareka.
Pak ditë më parë, një nga vrasësit që punonin për Eskobar, Jhon Zhairo Velaskez Vaskez, i njohur me nofkën “Popeye”, tregoi për një nga gazetat peruane se në mesin e luftës së karteleve të Medelin dhe Kali, Eskobar kishte qenë shumë pranë dhënies së vendimit për të vrarë me një bombë gjithë ekipin e Amerika De Kali, i cili ishte në pronësi të rivalëve të tij, vëllezërve Orehuela të kartelit të Kali.
Ylli i asaj skuadre në vitet 1986-1988 ishte pikërisht Gareka, tashmë trajner shumë i njohur që drejtoi Perunë edhe në Rusi 2018, raporton vipsport.
Asokohe, Eskobar planifikoi një sërë atentatesh për të goditur kartelin kundërshtar, me bomba të vendosura në zyrat kryesore të tij duke lënë shumë të vdekur.
“Rikardo Gareka ka qenë gjithmonë një objektiv i Pablo Eskobar, por në fund nuk u bë sulmi. Dashuria për futbollin e Eskobar e shpëtoi, atë dhe lojtarët e tjerë të Amerika De Kali, edhe pse u diskutua shumë herë që t’u vihej një autobombë”, shpjegoi “Popeye”.
“Gjithsesi, ai mori peng lojtarë të skuadrës, në mënyrë që të inatoste Rodrigues Orehuela dhe kur nuk bashkëpunuan, vranë familjen e Pedro Enrike Sarmiento”, tregoi ai për vitet e përgjakshme të luftës së karteleve në Kolumbi.