Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Elena Xhina, në një intervistë televizive tha sot se interesi i shqiptarëve që jetojnë jashtë, për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, është i lartë.
Sipas saj numërohen mbi 3000 emigrantë që regjistrohen në ditë, çka tregon se interesi është i madh.
“Janë 10 mijë kërkesa ose llogari të hapura. Numri më i madh nga Gjermania, Italia dhe Greqia. Ka problematika të vogla teknike. Problematikat janë regjistruar dhe kanë gjetur zgjidhje. Jemi 3 ditë, 10 mijë kërkesa afërsisht 3 mijë kërkesa në ditë. Por kanë qenë dhe ditët e pushimit dhe duhet parë se si do realizohet procesi në vijim. Por interesi duket i madh”, tha ajo.
Xhina nënvizoi se procesi është i thjeshtë dhe sistemi është i konsoliduar.
“Regjistrimi është i thjeshtë. Mjafton një pajisje smart, celular, kompjuter, tabletë për të aksesuar në internet dhe për t’u regjistruar. Shënon emrin, mbiemrin dhe detajet e tjera individuale, vendndodhjen, si dhe një foto live, e cila verifikon që regjistrimi po kryhet nga personi në fjalë”, tha Xhina.
Ajo shtoi se KQZ ka dëgjuar mendimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë. “Ne si parti politike, kur është bërë testimi, kemi sigurinë që aparatura ka përqindje të vogël gabimi. Kartat e identitetit duhen parë sa për qind është pamundësia për të votuar. Dhe do shtyhet vlefshmëria e kartave të identitetit. Por platforma po funksionon”, u shpreh xhina.