Pas qëndrimit publik për median nga Taulant Balla, ku bëri me dije se një nga deputetët demokratë kishte vezë me vete, një kundërpërgjigje e rrufeshme është përcjellë nga kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja demokrate Albana Vokshi.
Kjo e fundit ka dënuar mosreagimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, pas thirrjeve të saj, ndërsa deklaroi se do të ketë një kallëzim penal për oficerët e Gardës, që nuk mbrojtën deputetët, por kryetarin e Bashkisë. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ajo tha se nuk intimidohet nga kallëzimi i kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që kërkoi shkarkimin e saj dhe për çfarë ka ndodhur do të informojë ndërkombëtarët.
“Tentativa e sotme ishte që t’i mbyllej goja opozitës. Për fatin tonë shumë të keq, edhe si qytetarët të Tiranës edhe si deputetë, sot roli i ishte caktuar Erion Veliajt që të vinte i paftuar, në shkelje të rregullores dhe të tentonte të uzurponte këtë mbledhje, vetëm dhe vetëm që t’i hiqnin mundësinë opozitës për të bërë transparencë mbi këtë vjedhje të madhe që po bëhet për të tjetërsuar pronën publike, për t’ia dhënë privatit për përfitime marramendëse. Kishim një kryetar Bashkie që vjen i paligjshëm për të uzurpuar Parlamentin. A është parë e dëgjuar kjo gjë? Kishim një kryetar Bashkie që i hakërrehej oficerëve të Gardës”.
Ajo tha më tej se gardistët kishin marrë urdhër të prerë nga Rama e Veliaj, që t’i kundërviheshin deputetëve. Por Vokshi nuk e lë me kaq, pasi është shprehur më tej se ajo çfarë ndodhi sot, do vë në dijeni të gjitha ambasadat, delegacionin e BE, PE-së dhe gjithë delegacionet e tjera.
“Oficerët e Gardës kishin marrë urdhër nga Rama e Veliaj, që t’i kundërviheshin deputetëve. I bëra thirrje Gramoz Ruçit të ndërhynte. Për të ardhur keq që kryetari i Kuvendit nuk ndërhyri. Për të ardhur keq që drejtori i Gardës nuk ndërhyri, për t’i dhënë urdhër oficerëve për të nxjerrë Erion Veliajn.
Veliaj ta harrojë që mund të bëjë arrogantin dhe dhunuesin. Ndaj ne, ashtu sikurse Alibeaj propozoi, do ta ngremë çështjen e gardistëve që nuk ndërhynë në shkelje të ligjit. Kallëzim penal për oficerët që nuk ndërhynë për të mbrojtur deputetët. Atë ç’ka ndodhi sot, do t’ua tregojmë të gjitha ambasadave, delegacionit të BE, PE-së dhe gjithë delegacioneve të tjera.
Veliaj mund të bëjë çfarë do ai në zyrën e tij, por jo këtu. Ai ka dhënë një deklaratë të çorientuar. Dua t’ju jap vetëm një shifër, vetëm në 3 muajt e parë janë dhënë 231 leje ndërtimi. Ajo që po i bën Erion Veliaj Tiranës, është kimi më i madh. Sa herë vjen PS në pushtet, Tirana betonizohet, shkatërrohet. Të gjitha projektet që nisi Lulzim Basha, merita e vetme e Erion Veliajt është që i privatizoi. Shpreh keqardhjen edhe për deputetët e maxhorancës që kishin mundësinë të distancoheshin, por u bënë levë e Ramës e Veliajt. Nuk më intimidon as propozimi i Ballës. Jo Albana, jo deputetët e opozitës në këtë komision, por të gjithë deputetët e opozitës nuk do heqin dorë nga e vërteta. Ne do vazhdojmë, do e thërrasim të hënën, të martën, të mërkurën, deri sa ministrja të paraqitet. Do bëjmë transparencën, gjithçka për të ndalur aktin kriminal”, deklaroi Vokshi.