Pavarësisht se Vllaznia u privua për ta luajtur ndeshjen e parë të Conference League në shtëpi, duke u zhvendosur në Elbasan, tifozët duket se nuk do të mungojnë në mbështetje të kuqebluve.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur grupimi ultras i shkodranëve “Vllaznit”, ku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, thekson se pavarësisht se ndeshja nuk luhet në shtëpi, prezenca e tyre nuk do të mungojë as në Elbasan. Tifo grupi më i vjetër në Shqipëri po ashtu informon se për anëtarët e grupit, transporti do të jetë falas. Teksa nisja drejt Elbasanit do jetë të enjten në orën 15:30, nga qendra e qytetit të Shkodrës.
Ndër të tjera “ultrasit” kërkojnë edhe impenjimin maksimal dhe një kualifikim nga ana e skuadrës së tyre edhe për vetë sakrificat e tifozëve që janë të “detyruar” ta ndjekin ekipin jashtë Shkodrës në një ndeshje që ishte parashikuar të luhej në “Loro Boriçi”.
Po ashtu nga sa mëson gazeta përveç grupimit ultras të Vllaznisë, drejt Elbasanit do të udhëtojnë edhe qindra e mijëra tifozë të tjerë nga kryeqendra e veriut. Kjo për të qenë sa më afër skuadrës dhe për t’u garantuar atyre ndjesinë sikur janë në “Loro Boriçi”.