Gazetarja Klodiana Lala ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për procesin ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ky i fundit shpërtheu sot ndaj gjykatës së posaçme, pasi i janë rënduar pozitat dhe tashmë akuzohet për grup të strukturuar kriminal.
Lala tha se Beqja akuzoi gjykatën si të politizuar duke deklaruar se vendimet e saj i duartroket Sali Berisha.
“Ilir Beqja është zyrtarisht i pandehur për shpërdorim detyre por gjatë shqyrtimit të dosjes në seancë paraprake, Beqja dhe të pandehurit e tjerë kanë patur debate me gjykatën dhe kanë pretenduar pushimin e çështjes. Gjykata e Posaçme urdhëroi Prokurorinë të rikualifikonte veprat penale për ish ministrin, ish zv ministrin dhe biznesmenin Rrapaj në akuzën grup i strukturuar kriminal dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën. SPAK e pranoi këtë akuzë duke thënë se brenda qeverisë “Rama 1″ ka patur grup të strukturuar kriminal.
Beqja fillimisht nuk e kundërshtoi masën e sigurisë. Ditën e sotme, para se gjykata të jepte vendim, Beqja bëri deklarata të forta.
Ishte shpërthim sepse për herë të parë një poliitkan shqiptar shkon me akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Pra ministri më i besuar i Ramës është akuzuar nga drejtësia si arkiteti i krijimit dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal. Kjo dëmton Beqajn por edhe qeverinë e zotit Rama.
Ajo që ishte për të qeshur dhe për të qarë. Zoti Berisha thotë se SPAK është i kapur nga Rama, por në fakt një nga ish bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, akuzon gjykatën se jep vendime që i duartroket Sali Berisha.
Beqja braktisi seancën dhe e bëri në shenjë revolte duke pretenduar se procesi ndaj tij është shkatërruar. Hoqi dorë edhe nga gjykimi i shkurtuar dhe pretendon se do të provojë pafajësinë e tij”, tha Lala.