Një emër që ka kohë që mbetet në “orbitën” e skuadrës së Lazio, është sulmuesi i Fenerbahce, Vedat Muriqi që duket se mbetet i lidhur shumë me bardhekaltërit. Përkundër forcës sulmuese që kanë aktualisht në gjirin e tyre me emra si: Ciro Immobile, Felipe Caicedo dhe Joaquin Correa, dhe sulmuesit të ri Bobby Adekanye,Lotito po kërkon një tjetër sulmues.
Muriqi ka qenë i lidhur me Lazion për disa kohë dhe me klubin turk në vështirësi financiare, ekziston një shans i mirëfilltë që ai të mund të bënte një largim nga Turqia këtë verë.
Gazeta italiane “La Gazetta dello Sport” ka raportuar se Lazio ka një plan për të siguruar nënshkrimin e Muriqi. Plani është që të dërgohet drejtori sportiv Igli Tare për të negociuar personalisht, duke pasur parasysh se drejtori shqiptar zakonisht ka pasur suksese në tratativa me lojtarët për t’i bërë pjesë të Lazio ndër vite.
Nëse Lazio dëshiron të nënshkruajë Muriqi, paraprakisht duhet që të paguajë 20 milionë euro. Gjithsesi tratativat pritet që të shihen në ditët e ardhshme, duke pasur parasysh edhe buxhetin dhe shpenzimet e Lazios në këtë periudhë.