Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia e ka respektuar dhe do ta respektojë integritetin territorial të Ukrainës. Deklarata e Vuçiç u bë në një konferencë të përbashkët për media me homologun ukrainas, Petro Poroshenko, në Beograd.
Vuçiç e falënderoi Ukrainën për, siç tha, respektimin e integritetit territorial të Serbisë.
“Shpresojmë dhe duam që të gjitha problemet në Ukrainë, të zgjidhen në mënyrë të qetë”, tha Vuçiç.
Poroshenko, në anën tjetër, tha se Ukraina nuk e ka njohur Kosovën dhe se problemi i saj duhet të zgjidhet duke respektuar interesat e Serbisë.
“Mund të konfirmoj se Ukraina dhe Serbia nuk kanë asnjë problem në marrëdhëniet dypalëshe”, tha Poroshenko.