Dy fëmijë të moshës 5-vjeçare kanë përfunduar në spital, pasi sipas policisë janë rrëzuar aksidentalisht në kopshtet që ata frekuentojnë.
“Në QSUT janë paraqitur për ndihmë mjekësore, dy shtetas të mitur të moshës 5 vjeç, të cilët dyshohet se aksidentalisht janë rrëzuar në kopshtet që ata frekuentojnë, njëri në rrugën “Androniqi Antoniu Zengo” dhe tjetri në rrugën “Irfan Tomini”.
Materialet për këto dy raste i kanë kaluar Prokurorisë, për vlerësim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë që kopshtet dhe çerdhet kanë qenë në fundmi në qendër të opinionit publik për shkak të një rasti të rëndë të publikuar në media, ku një 3-vjeçare u dhunua në kopshtin privat “Stinët”.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor dhe vogëlushja përfundoi në spital me këmbë të thyer.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa edukatorja e cila akuzohet se ka dhunuar vogëlushen është arrestuar.
Sakaq, ministria e Arsimit njoftoi pas ngjarjes se ka ngritur një grup kontrolli në terren për të konstatuar kopshtet dhe çerdhet që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme, pasi pas hetimeve rezultoi se kopshti “Stinët” nuk ishte i pajisur me licencë.