Ka ndërruar jetë Marjola Myrtollarit, 38-vjeçarja nga Korça që u plagos me thikë nga bashkëshorti rreth një muaj më parë.
Myrtollari ishte transportuar me helikopter për trajtim të specializuar në Tiranë, ndërsa që prej ngjarjes, ajo ka qëndruar në reanimacion, në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra në trup nga thika.
Ngjarja u shënua mbrëmjen e 4 qershorit, ku Aleko Myrtollari pas një debati për motive xhelozie, plagosi me thikë bashkëshorten e tij Marjola, nënën e 3 fëmijëve.
Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj Aleko Myrtollari është vetëdorëzuar në polici disa ditë pas ngjarjes.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, autori i krimit, ka deklaruar se konflikti me bashkëshorten e tij Marjola, ka ndodhur për shkak se kjo e fundit nuk ka dashur të punojë.
Ai i ka kërkuar që të nisë punë, ndërsa bashkëshortja i ka thënë që nuk ka dashur, dhe i ka kërkuar të punojë vetë Aleko për të mbajtur fëmijët dhe familjen.
Sipas tij, kjo ka qënë arsyeja që konflikti ka agravuar dhe ka përfunduar në plagosjen e rëndë të 38 vjeçares e cila humbi sot betejën për jetën.