Por çfarë ndodhi mbrëmjen e ngjarjes? Pse grupi hetues krijoi shpejt bindjen që Armand Nelaj nuk ishte një zhytës i pasionuar pas detit dhe peshkimit, por një atentator i porositur për të vënë minën e telekomanduar poshtë një prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz.
Çfarë e tradhtoi atë dhe porositësin e këtij akti, që sipas Prokurorisë është Erdion Muho, tashmë i ndaluar, bashkëpronar në një prej kompanive të trageteve që kryejnë lëvizjen e pasagjerëve në këtë linjë. Cila ishte dinamika e lëvizjes së Armandi Nelaj dhe Erdion Muhos, ditën deri në orët e mbrëmjes, por edhe gjatë ditëve të fundit, para se të ndodhte ngjarja.
Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes dhe përditshmërisë së autorëve, kjo e siguruar edhe nga kqyrja e pamjeve filmike në disa prej rrugëve dhe bizneseve të qytetit të Sarandës, bashkëpunimi midis Armandi Nelaj dhe Erdion Muhos, për të vënë në jetë planin për hedhjen në erë të njërit prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz, thuhet se ka nisur pothuaj dy ditë më herët, kohë kur ata janë parë të lëvizin së bashku në disa prej lokacioneve të qytetit.
Ashtu si edhe më 23 qershor 2024, pra një ditë para se të ndodhte aksidenti fatal në det, ku Armandi Nelaj, është parë fillimisht në një nga dyqanet e tregtimit të pajisjeve të peshkimit, aty ku ai dallohet nga kamerat e sigurisë teksa blen një kostum dhe një maskë zhytje.
“Më datë 23 Qershor 2024, rreth orës 11.00 në ambientet e brendshme të një subjekti ‘Pajisje Peshkimi’ shfaqet një person i veshur me bluzë me ngjyrë të bardhë dhe tuta të shkurtra treçerekshe, që me vete mban një marsup me ngjyrë si në të zezë. Ky person është identifikuar nga ana jonë si shtetasi Armandi Nelaj, i cili pasi hyn në këtë ambient blen një kostum dhe maskë zhytje”, thuhet në dosjen hetimore.
Vetëm dy orë pasi ishte larguar nga ky dyqan, Armandi Nelaj vihet re teksa rikthehet sërish në këtë biznes, por këtë herë jo më i vetëm, por në shoqërinë e një personi të dytë, që në këtë rast u identifikua si Erdion Muho.
“Rreth orës 13.15 minuta, në ambientet e brendshme të subjektit ‘Pajisje Peshkimi’, shfaqen dy persona; konkretisht personi i identifikuar nga ne si Armandi Nelaj dhe një tjetër i njohur nga ne si Erdion Muho, ku pasi futen në këtë ambient ata blejnë lopata peshkimi dhe disa materiale të tjera”, thuhet në dosjen hetimore.
Ajo që çoi grupin hetues në identifikimin e shpejtë të personazheve që ishin përfshirë në inskenimin e vendosjes së lëndës eksplozive në njërin prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz, atë mbrëmje të datës 24 qershor dhe që pasoi më tej me dështimin e operacionit, ishte një gabim fatal që bëjnë shpesh ata që janë jo profesionistët e kësaj fushe. Atë, se si ata kishin zgjedhur si vendin nga ku do të nisej varka me eksploziv pikërisht, një nga plazhet që ndodhet pranë bizneseve të tyre, fakt që u konfirmua edhe nga kamerat e sigurisë, të dy ditëve të fundit para ngjarjes, të cilat kishin dokumentuar nëpërmjet pamjeve filmike të gjitha lëvizjet e tyre.
Deri në momentin kur Armandi Nelaj, ngjitet në varkë mbrëmjen e datës 24 qershor dhe niset drejt objektivit të përcaktuar për t’u sabotuar, njërit prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz.
Në orën 22.55, të datës 24 Qershor 2024, nga pamjet e njërës prej kamerave të Hotel ‘D…’, të cilat njëkohësisht monitorojnë edhe një pjesë të ambienteve të jashtme të subjektit ‘Copa Cabana’, vihet re një person që po zbret poshtë me drejtim parkimin e automjeteve të këtij subjekti.
Një minutë më pas, po nga kjo kamerë vihet re një person tjetër që është duke qëndruar në afërsi të bregut të detit, aty ku ndodhet dhe moli lundrues. Ndërsa disa persona të tjerë ndodhen në parkimin e automjeteve të këtij subjekti.
Në orën 23.07, po nga kjo kamerë vihen re dy automjete të cilat ngjiten lart në rrugën që ndodhet brenda subjektit ‘Copa Cabana’ me drejtim rrugën ‘Butrinti’
I pari që identifikoi nëpërmjet fotove kufomën e dëmtuar rëndë si pasojë e shpërthimit të lëndës eksplozive, ishte vëllai i Armandi Nelaj, Melseid Nelaj, i cili më herët kishte raportuar të humbur njeriun e tij të afërt, që tanimë i kishte dhënë grupit hetues një emër lidhur mbi personin e pajetë që gjendej ende në morg që nga nata e kaluar dhe sigurisht nisjen e zbardhjes së një ngjarje, që në fakt më pas do të rezultonte se nuk ishte një zhytje fatale, por një skenar me pasoja edhe më serioze, që vetëm një dorë më e fuqishme e kishte ndalur deri aty, pa e çuar deri në fund realizimin e një akti që mund të kishte sjellë pasoja më të rënda në jetët njerëzore.
Menjëherë pasi grupi hetues mësoi se personi që kishte humbur jetën ishte biznesmeni Armandi Nelaj, ata shkuan në plazhin ‘Copa Cabana’, aty ku gjetën edhe automjetin e tij, automjet, që gjatë kontrollit u gjet i pastër.
Do të ishte vetë i vëllai i Armandi Nelaj, ai i cili dorëzoi te grupi hetues, dy telefonët celularë të viktimës Armandi Nelaj që po atë ditë kishte qenë në këtë plazh për të shkarkuar disa kamionë me rërë, ndoshta si një formë alibie të cilën do ta përdorte më pas, por me interes për grupin hetues duket se ishin pamjet e një farmacie, që në fakt ndodhet pikërisht përballë plazhit ‘Copa Cabana’, farmaci e cila në mënyrë të habitshme vetëm një ditë pas ngjarjes kishte ndërruar kamerat e sigurisë duke i zëvendësuar ato me të reja.
Kjo farmaci rezultoi të ishte në pronësi të shtetases Romina M, e cila është bashkëshortja e Erdion Muhos, personazhit kyç që rezulton se kishte konflikte të hapura me vëllezërit Qirjako, pronarë të kompanisë së lundrimit ‘Finikas Shpk’ që operon në linjën Sarandë-Korfuz, por edhe mik i viktimës, biznesmenit Armandi Nelaj.
Pasi shtetasja Romina M. dha deklarimet, grupi hetues shkoi në farmacinë e saj, që ndodhet e vendosur përballë plazhit ‘Copa Cabana’, me qëllim për të marrë pamjet filmike. Por një gjë e tillë nuk u bë e mundur, pasi kjo shtetase tha se DVR-ja e farmacisë është ndërruar me datë 25 Qershor 2024, pasi sipas saj e mëparshmja ishte djegur.
Por shpejt doli se kjo kamera ishte hequr qëllimisht disa orë pas ndodhisë në det, ku kishte humbur jetën Armandi Nelaj, gjë që u konfirmua edhe nga vetë teknikët që ishin thirrur për të zëvendësuar kamerën gjoja të djegur, të cilët treguan për grupin hetues se nga nxitimi harruan dhe kishin montuar një hard disk të vjetër, që e patën përdorur në një subjekt tjetër.
“Unë kam një dyqan dhe punoj në terren me instalime elektrike dhe të kamerave, ku jam ortak me shtetasin S. K. Erdioni më ka kontaktuar në rrugë dhe më ka thënë që ka probleme me kameran te farmacia. Ai më tha se kameran e vjetër e kishte hedhur pasi ishte djegur dhe më duhej një tjetër urgjent për sot. Unë i thashë të shikojmë çfarë kemi në makinë dhe pasi gjetëm një aty e instaluam.Zakonsht DVR-të nuk digjen. Ato ose djegin ushqyesin e kamerave ose ushqyvesin e aparatit. Fillimisht hard disku ka qenë i vendosur më parë tek shtetasi A. T dhe nga ana jonë është harruar të bëhet formatimi”, tha Erdion Muho.
I pyetur nga grupi hetues lidhur mbi kamerat e sigurisë të vendosura në farmacinë e bashkëshortes së tij, kamera që shikonin pikërisht nga plazhi ku miku i tij Armandi Nelaj u nis mbrëmjen që u kthye në tragjike për të, Erdion Muho u përpoq të krijonte një alibi të tij, sipas së cilës këto kamera ishin djegur prej disa muajsh dhe kishte ardhur koha t’i ndërronin dhe këtë zëvendësim ai e bëri vetëm disa orë pas asaj që kishte ndodhur në det mbrëmjen e 24 Qershorit, madje me një urgjencë gati të habitshme.
“Në lidhje me atë që i ka ndodhur DVR-së së kamerave tek farmacia e bashkëshortes time, më duhet të them se ne e mbyllëm farmacinë 6 muaj pasi nusja ishte shtatzënë, dhe më pas DVR-ja nuk punoi, kjo pasi ishte djegur rreth muajit prill-maj. Pastaj kontaktova me Elidonin dhe më solli një të re”, tha Erdion Muho.
Por roli dhe bashkëpunimi i Erdion Muhos me Armandi Nelaj, do të ishte më i dukshëm gjatë zbardhjes së kamerave të sigurisë në ato që ishin ditët që i paraprinë ngjarjes, ku më pas humbi jetën në det miku i tij, aty ku vetëm dy ditë para ngjarjes tragjike në det, Erdion Muho dhe Armandi Nelaj, jo vetëm vihen re në shoqërinë e njëri-tjetrit, por konstatohet edhe momenti kur ky i fundit, tërheq më makinën e tij një gomone, që më pas rezultoi se ishte gomonia me të cilën ai lëvizi edhe natën kur humbi jetën si pasojë e shpërthimit me eksploziv.
Më datë 22 Qershor 2024, në orën 12.58, me anë të pamjeve filmike të një subjekti ‘Fast Food’, vihet re një motor me ngjyrë jeshile në të zezë me targë BB935, me drejtues një person me kapele të zezë, me bluzë të bardhë, me pantallona të zeza të shkurtra, me atlete të bardha, ku pas motorrit, në një distancë të afërt vjen një automjet i markës ‘Jeep’ me ngjyrë të bardhë, ku vërehet se drejtuesi i automjetit ka të veshur një bluzë me ngjyrë të bardhë dhe mbas ketij automjeti është e lidhur karrela e cila ka mbi të, një mjet lundrues me përmasa të vogla e llojit gomone, me ngjyrë si në gri dhe blu me mbishkrimim në anën e djathtë të saj ‘Hydro-Force’, me një motor në pjesën fundore të tij me mbishkrimin ‘Mercury’, me ngjyrë të zezë.
Edhe pse grupi hetues, e vendosi përpara provave të pakundërshtueshme të implikimit të tij në ngjarjen e mbrëmjes së datës 24 Qershor në Portin e Sarandës, Erdion Muho, ashtu siç pritej mohoi përfshirjen në këtë ngjarje. Madje ai mohoi edhe që të kishte konflikt në biznesin e lundrimit me vëllezërit Qirjako, që operojnë në të njëjtën linjë, me kompaninë ‘Finikas’ Shpk. Pavarësisht se këta të fundit, pretendonin të kundërtën. Madje vetë Erdion Muho tha se biznesin e trageteve në emër të familjes e menaxhon babai i tij dhe jo ai vetë.
“Emri i kompanisë është ‘Joy Croyz’ dhe i anijes ‘Saranda Express’ dhe këtë biznes e menaxhon babai im, jo unë. Këtë vit anijet nuk i kemi ne, por i kemi dhënë me qira te një biznesmen grek. Ne kemi vetëm një anije që është në pronësi të babait, i cili është ortak me 100 përqind të kuotave. Aktualisht tek kompania ‘Joy Croyz Albania” administrator është vëllai im Danjeli”, tha Erdion Muho.
I pyetur në lidhje me shpërthimin ku humbi jetën Armandi Nelaj, Erdion Muho, tha se ai viktimën e njihte dhe e kishte mik të familjes. Dhe takoheshin shpesh sidomos gjatë verës. Por gjithmonë për qëllime pune. Ashtu siç ai thotë se ishin takuar edhe ditët e fundit. Ku Armand Nelaj sipas tij, kishte sjellë disa kamionë me rërë në plazhin ‘Copa Cabana’. Aty ku nga ku u nis edhe rrugëtimi i tij i fundit, natën para se të humbiste jetën.
“Armandi kishte skrepa, makina të mëdha, si edhe makina me qira. Unë nuk e di se me çfarë merrej kohët e fundit. Ajo që di është se i kam dhënë punë, tek një plazh poshtë hotelit tim dhe emri i plazhit ku ka sjellë makinat me rërë quhet ‘Copa Cabana’. Aty ku unë dy muaj më parë e kam prezantuar Armandin me Marion. Dhe me sa di bashkëpunimi midis tyre vazhdonte normalisht, teksa Armandi sillte rërë dhe Mario bënte pagesat”, tha Muho.