Nga Burhanettin Duran “Daily Sabah”
Udhëheqësit e Evropës u mblodhën javën e shkuar për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi vaksinat anti-Covid, marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Turqinë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Fakti që evropianët shqyrtuan disa rrugë për ta inkurajuar Ankaranë të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me Bashkimin Evropian ishte një lajm i mirëpritur. Kryediplomati i BE-së, Jozep Borrel, ndërkohë bëri thirrje për një qasje “progresive, proporcionale dhe të kthyeshme”.
Konkretisht, fjala është për një plan që përfshin hedhjen e hapave pozitivë në mënyrë graduale dhe pa lënë mënjanë problemet ekzistuese. Ai përqendrohet në përditësimin e marrëveshjes së Unionit Doganor BE-Turqi, dhe parandalimin e emigrimit të paligjshëm.
Në fakt, kancelaria gjermane Angela Merkel vlerësoi hapat e Turqisë për uljen e tensioneve në rajonin e Mesdheut Lindor, dhe rolin qendror të Ankarasë në adresimin e krizës së refugjatëve. Gjithashtu Merkel e përshkroi Ankaranë si një partnere“shumë të besueshme”.
Sulmi i Makron nga Turqisë
Ndërkaq, në një intervistë për televizionin “France 5”, presidenti francez Emanuel Makron, e vuri sërish theksin tek dilema që ka Evropa përkundrejt Turqisë. Së pari, ai e cilësoi Turqinë një aleate të NATO-s, një partnere të rëndësishme tregtare dhe një aleate kryesore në luftën kundër migrimit të paligjshëm drejt Evropës.
Pastaj, foli mbi frikën e tij për 3 milion sirianë që mund të mbërrijnë në kontinentin evropian. Së fundmi, ai pretendoi se Turqia do të “përpiqej qëtë ndikonte” në zgjedhjet franceze. Por përse presidenti francez, marrëdhënia e të cilit me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan u përmirësua kohët e fundit, e bëri një pretendim të tillë, pikërisht përpara samitit të udhëheqësve të BE-së?
A mos po përpiqej që të pozicionohej kundër idesë se Evropa duhet të bashkëpunojë me Turqinë, dhe të cilën e mishëron kancelarja gjermane?A po synonte vetëm të sinjalizonte se do të vazhdonte të luante rolin e “policit të keq”?
Apo ndoshta deklaratat e Makron u bënë enkas, për t’i treguar popullit francez se ai ende mund ta kritikojë Turqinë dhe presidentin e saj?Ndoshta, qëndrojnë të gjitha sa përmenda
më sipër. Gjithsesi është për të ardhur keq që presidenti francez këmbëngul në akuza të
tilla, pavarësisht se ka dështuar më herët në përpjekjet e tij të kaluara për ta luftuar Erdoganin.
Pretendimi se Turqia do të përzihej në zgjedhjet perëndimore -njëlloj si Rusia, Kina dhe Irani – është i papranueshëm. Ai është njëkohësisht sa i pabazë po aq edhe një shenjë dobësie. Ky qëndrim përbën një goditje ndaj përpjekjeve të Turqisë për të riparuar marrëdhënien.
Një kërcënim i sajuar
Si për t’i përkeqësuar gjërat edhe më keq, akuzat më të fundit të Makron sugjerojnë se ai mund ta bazojë rreth Turqisë fushatën e tij të rizgjedhjes në detyrë vitin e ardhshëm. Nën presionin e së djathtës ekstreme, presidenti francez po tenton që ta luftojë Marin Lë Penin, drejtuesen e Frontit Kombëtar të së djathtës ekstreme, duke iu referuar “kërcënimit” të Islamit, Turqisë dhe Erdoganit.
Sa për kujtesë, kjo qasje nuk është origjinale. Politikanët evropianë janë mbështetur shumë tek kjo frikë e stisur që nga referendumi mbi Brexit. Këtë herë, është Makron, që dështoi
të zgjidhë problemet ekonomike të Francës, dhe dështoi gjithashtu kundër Erdoganit në Siri, Libi dhe Nagorno-Karabak, ai që po kthen kokën nga populizmi.
Kësisoj,ai po përpiqet të armatoset me “Erdoganofobinë” dhe diskursin e “separatizmit”. Përkundër gjithë populizmit të tij të shfrenuar, më duhet të shtoj se Makron ka qenë i drejtpërdrejtë mbi një çështje:Ai e pranoi se Turqia luan një rol kryesor në interesat strategjikë të Evropës.
Një fakt tjetër për të cilin Makron dhe të tjerët duhet të bien dakord, është se nën udhëheqjen e Erdoganit Turqia ka arritur tani në një pozitë të re ndërkombëtare. Evropa tani duhet të angazhohet me Ankaranë në një mënyrë të ndershme dhe si partnerë të barabartë.
Kërkimi që Perëndimi po bën për një formulë magjike, ku Evropa nuk do të “humbasë” Turqinë pa bërë lëshime ndaj presidentit të saj, është i pakuptimtë dhe përfundimisht i kotë. Mbi të gjitha, Erdogan sqaroi shumë qartë se cilat janë konturet e interesit kombëtar të Turqisë, përmes hedhjes së një sërë hapave, të cilat evropianët i konsideruan “agresivë”. Nuk ka kthim mbrapa. Ideja se Turqia tani duhet të trajtohet në mënyrë të drejtë, është pjesë e asaj që mbron sot me forcë politika turke.
burimi:https://www.dailysabah.com/opinion/columns/yet-again-macron-murmurs-turkeyphobia-for-own-sake
Përshtatur nga Tirana Today