Policia e Fierit në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Kristian Plaku, 24 vjeç, banues në Korçë, i cili po transportonte emigrantë të paligjshëm.
Shtetasi K. P. u kap në flagrancë në aksin rrugor “Lushnjë-Rrogozhinë”, teksa drejtonte një automjet tip “Benz”, me të cilin transportonte 8 emigrantë nga Nepali.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 24-vjeçari po i transportonte këta shtetas, drejt Shkodrës, kundrejt shumës 500 euro/person, në mënyrë që ata të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin, drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 24-vjeçari ishte i kërkuar nga Policia e Vlorës, pasi më datë 29 gusht 2023 në fshatin Vrion, ka braktisur automjetin tip “Range Rover” me të cilin transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit.
Automjeti tip “Benz” u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.