E gjithë bota është kthyer sot kundër SHBA-ve pas planin të presidentit amerikan Donald Trump për Jerusalemin. Trump hartoi një plan për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Kundër presidentit Trump doli thuajse e gjithë Bota. Aleati i saj kryesor Britania e Madhe doli kundër, aleti tjetër Kina, Rusia, Palestina, Lidhja Arabe, Katari, Turqia por dhe NATO në këtë rast bën thirrje për dialog. Sot çështja e Jerusalemit u diskutua në të gjitha qendrat më të rëndësishme të globit. Thuajse të gjithë liderët botërorë bënë deklaratat e tyre kundër vendimit të Trump. Anadolu Agency ka publikuar thuajse të gjitha deklaratat dhe zhvillimet e ditës që u folën për Jerusalemi. Të gjitha mediat shkruan sot për zhvillimet më të fundit, tani pritet vendimi i Trump. Hera e parë që kaq shumë shtete janë kundër një presidenti amerikan. Por çfarë e lidh kaq shumë botën me Jerusalemin?
Flitet kaq shumë për Jeruzalemin sepse është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. Një e treta e popullsisë së botës e konsideron të shenjtë. Brenda një rreze me pak metra distancë, besimet më të mëdha të botës kanë vendet e tyre më të shenjta të cilat përbëjnë ekzistencën e tyre. Hebrenjtë kanë Murin Perëndimor, i njohur si Muri i Lotëve, i cili është fragmenti i vetëm i mbetur nga muri i Tempullit; Të krishterët kanë Kishën e Varrit të Shenjtë, brenda të cilës është shkëmbi i Golgotës ku u kryqëzua Krishti, dhe diku aty pranë varri ku u shtri Krishti përpara se të ringjallej; dhe myslimanët kanë Kupolën e Shkëmbit për të cilën myslimanët besojnë se Muhamedi udhëtoi për në parajsë. Ja përse Jerusalemi është konsideruar që prej kohëve të hershme si qyteti ku banon Perëndia. Ajo qendër e botës është edhe qyteti i lotëve. Paqja është fragile dhe luks, dhe nuk mund të quhet paqe fetare por thjeshtë balancë koordinimi gjeografik dhe skemë e përkohshme në pritje të shpëtimit përfundimtar.
Ja çfarë u publikua në media sot për Jerusalemin
May: Statusi i Jerusalemit të vendoset përmes zgjidhjes së negociuar
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, lidhur me planin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, tha se nuk ka ndryshuar qëndrimi i tyre për Jerusalemin.
Në një pyetje të parashtruar në seancën javore të Parlamentit britanik “Pyetje për kryeministren”, May foli për planin e Trumpit për Jerusalemin me ç’rast tha se synojnë që këtë çështje ta bisedojnë me presidentin e SHBA-ve.
“Por, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kemi një qëndrim mjaft të qartë i cili bazohet në të kaluarën dhe ai është që statusi i Jerusalemit të vendoset në kuadër të një zgjidhjeje të negociuar në mes të Izraelit dhe Palestinës që së fundmi Jerusalemi të bëhet një kryeqytet i bashkëndarë në mes të shteteve të Izraelit dhe të Palestinës”, tha kryeministrja May.
Ajo tha se janë në dijeni të rëndësisë së Jerusalemit dhe se ajo që dëshiron Britania e Madhe të shohë është një zgjidhje mbi bazën e dy shteteve e cila përfshin një “Palestinë sovrane dhe të jetueshme si dhe një Izrael të sigurt”.
Ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, foli për planin e Trumpit për Jerusalemin.
“Të presim dhe të shohim çfarë do të thotë presidenti saktësisht. Ne po i ndjekim me shqetësim lajmet që dëgjojmë sepse mendojmë se Jerusalemi duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare në mes të izraelitëve dhe palestinezëve”, tha Johnson.
Ai tha se Britania nuk ka ndonjë plan sa i përket zhvendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem.
Erdogan: Ftoj SHBA-të të heqin dorë nga njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në cilësi të kryesuesit aktual të Organizatës për Bashkëpunim Islam dhe presidentit të Turqisë, i ka bërë thirrje opinionit botëror lidhur me Jerusalemin pas planit të SHBA-ve për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, duke i ftuar SHBA-të të heqin dorë nga një hap i tillë ndërsa Izraeli të kontribuojë për paqen.
“Në cilësi të kryesuesit aktual të Organizatës për Bashkëpunim Islam dhe presidentit të Turqisë, i bëj thirrje SHBA-ve të heqin dorë nga hapi i tillë që do të nxiste kaos në rajon, ndërsa Izraelit të ndjekë politika që do të kontribuonin në paqen dhe qetësinë”, ka thënë Erdogan.
Abbas thirrje për pajtim për t’u përballur me “rreziqet”
Presidenti palestinez Mahmud Abbas sot bëri thirrje për arritjen e pajtimit ndërpalestinez për t’u përballur me “rreziqet” e çështjes palestineze.
Kjo thirrje vjen përpara njoftimit të pritur nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump për të zhvendosur ambasadën e SHBA-ve në Jerusalem dhe zyrtarisht ta njohë qytetin si kryeqytet të Izraelit.
“Për të siguruar suksesin e pajtimit, ne kemi udhëzuar qeverinë të shkojë në Rripin e Gazës dhe të punojë për të gjetur zgjidhje mbi vuajtjet e përditshme të popullit tonë atje”, tha Abbas në një deklaratë për agjencinë zyrtare të lajmeve Wafa.
Ai i bëri thirrje popullit palestinez dhe fraksioneve të “përqendrohen në sfidat e ardhshme që përballen me projektin kombëtar duke përfituar nga mundësia për të arritur unitetin kombëtar”.
Ai tha se uniteti palestinez është “reagimi i vërtetë ndaj të gjitha përpjekjeve që synojnë shkeljen e të drejtave tona të garantuara me ligj dhe norma ndërkombëtare”.
Në tetor, grupet rivale palestineze Hamas dhe Fatah nënshkruan një marrëveshje pajtimi në Kajro me qëllim të tejkalimit të përçarjes së tyre dhjetëvjeçare pasi Hamasi mori Gazën nga Fatahu në vitin 2007 pas luftimeve në rrugë.
Kina paralajmëron SHBA-të për Jerusalemin
Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi se plani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohje të Jerusalemit si kryeqytetet të Izraelit “do të rrisë tensionet tanimë të pranishme në rajon”.
Zëdhënësi i ministrisë, Geng Shuang, gjatë një konference për shtyp deklaroi se “statusi i Jerusalemit është i ndërlikuar dhe sensitiv”.
“Të gjitha palët e përfshira, duhet të heqin dorë nga shembja e themeleve për zgjidhjen e çështjes së Palestinës, themele këto të cilat janë ndërtuar për një kohë të gjatë”, tha Geng, i cili i bëri thirrje Washingtonit “për veprime të kujdesshme për ruajtjen e paqes”.
“Jemi të shqetësuar që plani i SHBA-ve për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit do të rrisë tensionet tanimë të pranishme në rajon”, theksoi Geng, duke shtuar se Pekini zyrtar e mbështet formimin e shtetit të pavarur të Palestinës me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Ndryshe, Shtëpia e Bardhë më herët ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë urdhër për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe për zhvendosje të ambasadës amerikane në Jerusalem.
Lidhja Arabe vendim për takim të jashtëzakonshëm për Jerusalemin
Lidhja Arabe ka marrë një vendim për mbjajten e nje takimi të jashtëzakonshëm ditën e shtunë në nivelin e ministrave të jashtëm, në lidhje me përpjekjen e SHBA-ve për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike, mësohet se vendimi për takimin në fjalë është marrë me kërkesën e bërë nga Palestina, Jordania dhe Maroku. Për mbajtjen e një takimi të jashtëzakonshëm është e nevojshme që të kërkohet nga një vend anëtar i lidhjes dhe kërkesa të pranohet nga dy prej 21 vendeve të tjera anëtare.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ejmen Es-Safadi, ishte shprehur se do të bënin thirrje për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Lidhjes Arabe me qëllim për të koordinuar pozicionet e vendeve arabe dhe islame përballë rezultateve të iniciativës në fjalë të SHBA-ve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pavarësisht vendimit nr 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1980 që bën të pavlefshëm që Izraeli të shpallë Jerusalemin Lindor kryeqytetit duke aneksuar atë, pritet që sot të komunikojë vendimin për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem.
Erdogan biseda intensive diplomatike lidhur me Jerusalemin
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Nexhip Rezak, presidentin e Tunizisë, Baxhi Kaid Sibsi dhe presidentin e Iranit, Hasan Ruhani, në lidhje me planin e SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, njoftuan burime nga presidenca turke.
Sipas burimeve presidenciale, Erdoğan ka vazhduar bisedat telefonike për të diskutuar në lidhje me zhvillimet lidhur me Jerusalemin, ndërsa bisedat telefonike me liderët nga Malajzia, Tunizia dhe Irani janë zhvilluar mëngjesin e sotëm.
Gjatë bisedave, presidenti Erdoğan ka theksuar se përpjekja për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit do të shkaktojë ndërprerje të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, duke shtuar se kusht për paqen dhe stabilitetin në rajon është materializimi i një shteti palestinez me kufijtë e vitit 1997 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Erdoğan ka rikujtuar se vendimi i Izraelit për ta aneksuar Jerusalemin në vitin 1980 ishin refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara.
Ai ka theksuar se Jerusalemi si qytet i shenjtë për muslimanët është çështje maksimalisht delikate për shtetet islame.
Në bisedat telefonike është thënë se çdo përpjekje për ta ndryshuar statusin e Jerusalemit do të përballet me reagim nga bota islame dhe se përpjekjet e tilla do të ndikonin negativisht në paqen dhe stabilitetin.
Presidenti i Turqisë po ashtu ka theksuar se Turqia, si kryetare me rotacion e Organizatës për Bashkëpunim Islam, do të organizojë Samitin e Jashtëzakonshëm Islam në Stamboll më 13 dhjetor.
NATO deklaratë rreth planit të SHBA-ve për “Jerusalemin”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me planin e SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit tha se “Në çështje të tilla shtetet kanë autoritetin e vendimmarrjes. E respektoj këtë”.
Stoltenberg pas takimit të Komisionit NATO-Gjeorgji, që u mbajt në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, dha deklaratë për media dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Lidhur me planin e SHBA-ve për shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Stoltenberg tha se “Në çështje të tilla shtetet kanë autoritetin e vendimmarrjes. E respektoj këtë. Presidenti (Donald) Trump sot tregoi se do të mbajë një fjalim. Ky fjalim nuk u mbajt ende. Pra mendoj se është herët të komentosh për një fjalim që ende nuk është bërë”.
Stoltenberg u shpreh se NATO nuk është pjesë e Procesit të Paqes në Lindjen e Mesme, por që të gjitha shtetet anëtare të aleancës po mbështesin përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për problemin në këtë rajon.
Kremlini i shqetësuar për planin e SHBA-ve për Jerusalemin
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se janë të shqetësuar lidhur me planin e SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Peskov në një deklaratë për mediat tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Palestinës Mahmud Abbas dje kanë biseduar për zhvillimet e fundit lidhur me statusin e Jerusalemit.
Duke i vlerësuar si “të ndërlukuara” zhvillimet e fundit lidhur me statusin e Jerusalemit, Peskov tha se “Jemi të shqetësuar se situata do të bëhet edhe më e ndërlikuar nëse ndërmerret një hap i tillë”.
Ai theksoi se nuk dëshirojnë të komentojnë më shumë për një vendim i cili nuk është shpallur zyrtarisht.
Në një deklaratë të mëparshme nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë thuhet se “Rusia ka njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit, duke shprehur beismin se Jerusalemi Lindor në të ardhmen duhet të jetë kryeqyteti i shtetit të Palestinës”.
Kalin: Jerusalemi është nderi ynë, vija e kuqe për muslimanët
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın sot në Ankara deklaroi se Jerusalemi është vija e kuqe për muslimanët.
“Jerusalemi është nderi ynë. Ashtu siç tha dje dhe presidenti ynë i nderuar, Jerusalemi është vija jonë e kuqe”, tha Kalın.
Katari denoncon iniciativat për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit
Qeveria e Katarit ka denoncuar përpjekjet për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Sipas një lajmi të agjencisë zyrtare të lajmeve të Katarit QNA, e cila ka cituar një zyrtar të Ministrisë së Jashtme, Katari nuk do të pranojë asnjë hap drejt njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Gjithashtu, në lajm thuhet se iniciativat e këtilla do të dëmtonin përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete për problemin midis Izraelit dhe Palestinës.
Katari bëri të ditur se do të mbështesë krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe se do mbështesin të drejtat dhe kauzën e popullit palestinez, thuhet në lajmin e agjencisë.
Ndryshe, reagimi vjen pasi u raportua se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me presidentin e Palestinës Mahmud Abbas, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe mbretin jordanez Abdullah, përmendi planin për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Kongresi amerikan në vitin 1995 nxorri një ligj me të cilin e njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, megjithatë presidentët në detyrë, nën pretekstin e mbrojtjes së interesave shtetërore, kanë mbajtur ambasadën në Tel Aviv dhe kanë mbështetur bisedimet në lidhje me statusin e rajonit. Presidentët e SHBA-ve, nga viti 1995, duke përdorur të drejtën ekzekutive, kanë shtyrë vendimin për ambasadën.
Trump, i cili gjatë fushatës presidenciale premtoi zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jerusalem, pas marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Barack Obama, përdori të drejtën ekzekutive për pezullim të këtij ligji. Më vonë, gjatë qershorit, Trump shtyu për herë të dytë zhvendosjen e ambasadës dhe hyrjes në fuqi të ligjit.
Sipas lajmeve të mediave amerikane bazuar në deklaratat e zyrtarëve të qeverisë, bëhet e ditur se javën e ardhshme presidenti amerikan Trump do t’i jap fund pezullimin gjashtëmujor të “Ligjit për Zhvendosjen e Ambasadës Amerikane në Jerusalem”, me çka do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do ta zhvendosë ambasadën amerikane në këtë qytet.
E gjithë bota është kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jerusalem
Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka theksuar se plani i qeverisë amerikanë për shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit do të sjellë kaos në vend të paqes dhe stabilitetit.
I ndodhur në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, Çavuşoğlu, i është përgjigjur pyetjeve të një gazetari amerikan para takimit me sekretarin amerikan të shtetit, Rex Tillerson.
“Do të jetë gabimi më i madh. Në vend të paqes dhe stabilitetit do të sjellë kaos në rajon. Qëndrimi i Turqisë është i qartë”, theksoi kryediplomati i Turqisë.
Duke vënë në dukje se ndaj këtij hapi të SHBA-ve jo vetëm bota muslimane, por është kundër e gjithë bota, Çavuşoğlu, ka njoftuar se këtë çështje e ka sjellë në rendin e ditës edhe në takimet e mëparshme me Tillerson dhe se sërish do ta paraqesë në bisedimet dypalëshe.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump “do të shpallë se SHBA-ja njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit” dhe se “do të njoftojë që ka dhënë udhëzimin për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem”.
Gjithashtu edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në një deklaratë ishte shprehur se Trump do të komunikonte sot vendimin e tij në lidhje me zhvendosjen e ambasadës amerikane. TIRANA TODAY