Nga Alba Kepi
Gjykata e Lartë italiane çon në Gjykatën Kushtetuese ligjin që lejon ndalimin pa urdhër gjyqësor të azilkërkuesve që rikthehen nga Gjadri
Për herë të parë në historinë e Republikës Italiane, një qeveri përpiqet të legjitimojë privimin e lirisë personale pa asnjë vendim të gjykatës. Bëhet fjalë për një dispozitë të futur gjatë konvertimit në ligj të dekretit të 28 marsit 2025, e cila u hartua për të zhbërë efektet e vendimeve të Gjykatës së Apelit në Romë mbi rastet e azilkërkuesve që ndodhen në kampin e Gjadrit, në Shqipëri.
Gjykata e Lartë ngre alarmin për shkelje kushtetuese e me një vendim të rëndësishëm të datës 4 shtator, Seksioni i Parë Penal i Gjykatës së Kasacionit italiane ka ngritur “dyshime të qarta” për kushtetutshmërinë e kësaj norme, duke e referuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas gjyqtarëve të Kasacionit, praktika e ndalimit të një personi për deri në 48 orë pas rikthimit në Itali – pa asnjë vendim gjyqësor apo titull ligjor – përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave themelore të njeriut, si liria personale dhe të mbrojtura nga Kushtetuta italiane dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Rasti konkret që ka çuar në këtë vendim ka të bëjë me një shtetas senegalez, i cili në prill 2025 ndodhej në një kamp migrantësh në Bari dhe u transferua më 9 maj në qendrën e Gjaderit në Shqipëri, ku paraqiti kërkesë për azil. Gjykata e Apelit në Romë vendosi që ai të rikthehej në Itali dhe të lirohej, duke e konsideruar ndalimin në Shqipëri në kundërshtim me ligjet italiane dhe direktivat e BE-së për procedurat e azilit.
Megjithatë, pas kthimit në portin e Barit më 4 korrik, autoritetet italiane urdhëruan një ndalim të ri ndaj tij më 5 korrik, pa kaluar përmes procedurave të zakonshme ligjore. Avokati i tij kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, por kjo iu refuzua në instancat e para. Tani, me vendimin e pak orëve më parë Gjykata e Lartë vlerëson se ishte një gabim dhe kritikon gjykatat lokale që nuk e kanë ngritur më herët këtë çështje thelbësore për të drejtat kushtetuese.
Sipas avokatëve të mbrojtjes, rasti i senegalezit nuk është i vetmi. Cdo migrant që kërkon azil në Gjadër dhe më pas kthehet në Itali, është i ekspozuar ndaj të njëjtës procedurë të paligjshme ndalimi për 48 orë pa vendim gjykate. Kjo sjell, sipas tyre, një “kolaps të panevojshëm gjyqësor dhe ekonomik”, pasi ndalimet nuk qëndrojnë në gjykatë dhe përfundojnë me lirimin e personave pas shumë shpenzimeve dhe burimeve të humbura.
Ky zhvillim vë në rrezik serioz edhe vetë projektin shumë të debatuar të transferimit të migrantëve në Shqipëri, që ishte një nga shtyllat e politikës së emigracionit të qeverisë Meloni. Nëse Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të pavlefshme normën në fjalë, atëherë edhe funksionimi i qendrës në Gjader bie nën pikëpyetje serioze nga pikëpamja juridike.















