Nga Julie Eigenmann, “Le Temps”/Gjenevë – “Ku do të jesh në momentin e ndërrimit të viteve?” Një pyetje e thjeshtë që bëhet vetëm në ditët e fundit të muajit dhjetor, por që mjafton për t’i shkaktuar disa njerëzve një stres të paparë.
“Prej vitesh, pragu i Vitit të Ri më ka shkaktuar dhimbje koke”- thotë Sonia, një studente 26-vjeçare e komunikimit në Universitetin e Gjenevës. “Ju pyesni veten se me kë do ta kaloni, çfarë do të bëni, nëse do të dilni apo jo, dhe kështu me radhë. Në fund, gjithmonë argëtoheni, por ama para mbrëmjes është vërtetë një problem i madh”.
Është e vërtetë, që nuk është gjithmonë e lehtë të zgjedhësh llojin e Vitit të Ri që dëshiron. Është si një episod në një mini-serial francez “Bref “, ku protagonisti nuk arrin ta ndajë dot mendjen se çfarë duhet të bëjë, shkon nga njëra festë në tjetrën gjatë gjithë mbrëmjes para ndërrimit të viteve. Në fund, në mesnatë, ai “e kremton” ardhjen e vitit të ri me një njeri të pastrehë në metro.
“Ka kaq shumë mundësi saqë është e vështirë të zgjedhësh një festë të caktuar. Kjo është pjesë e lojës: ju mund të gjeni gjithmonë diçka më të mirë”- thotë Martine Segalen, një etnolog francez. Të festosh me çdo kusht është një fiksim tepër i lodhshëm.
Chantal, një studente 24-vjeçare e letërsisë në Universitetin e Gjenevës, është e kënaqur t’i kalojë këto ditë duke mos planifikuar asgjë.
“Kur isha adoleshente, e ndjeja gjithmonë se po e detyroja veten që Vitin e Ri ta prisja në festën më të mirë të vitit. Ekziston ideja se nëse nuk shkoni në një festë të veçantë atë natë, jeni një dështak. Tani po vërej se kjo praktikë është diçka e mbivlerësuar”- thotë duke qeshur. “E kuptova se festa e Vitit të Ri është më mirë të kalohet në një darkë e thjeshtë me një mik, ku përfunduam duke parë ‘SpongeBob’. Shkuam të flemë 15 minuta pas mesnatës!”
Një ogur për vitin e ardhshëm
Por përse kaq shumë bujë për një festë? “Është një nga ditët kur nga të gjithë pritet të festojnë. Ekzistojnë një pritshmëri, thuajse një lloj detyrimi, për të qenë në harmoni, të lumtur”- shpjegon Christian Staerkle, një profesor i Asociuar i psikologjisë sociale në Universitetin e Lozanës.
Dhe në qoftë se festat e Vitit të Ri nuk i plotësojnë pritshmëritë, pasojat duken më serioze se sa vetëm ndonjë dështim i radhës si në ndonjë festë më të hershme të vitit. “Ka një besim se ky është një ogur për vitin e ardhshëm”- thotë profesori.
“Nëse festa ishte e keqe, kjo mund të jetë një shenjë negative për të ardhmen”. Për shkak se pragu i Vitit të Ri, i njohur edhe si Dita e Shën Silvesterit, është i mbushur me simbole:urime të mira, pritja e mesnatës, fishekzjarrët. “Për shumë njerëz, është një rit i kalimit, dhe ata investojnë shumë shpresë tek Viti e Ri”- thotë Staerkle. Por Segalen, përpiqet ta vendosë këtë çështje në perspektivë. “Detyrimi për të festuar, peshon kryesisht tek të rinjtë. Ka edhe mijëra njerëz, që vendosin thjesht të qëndrojnë në shtëpi para televizorëve të tyre”.
Pse të mos improvizoni?
Pra, si ta festoni këtë 31 dhjetor pa stres? Sonia e gjeti zgjidhjen dy vjet më parë:”E kalova mbrëmjen me të dashurin tim dhe miqtë e tij. Edhe nëse më mungojmë miqtë e mi, unë jam me të. Dhe nuk kam pse të organizoj asgjë, dhe e lejoj veten të udhëhiqem nga të tjerët, çka më lejon që të kem më pak pritshmëri, dhe për rrjedhojë më pak presion”.
Chantal preferon të improvizojë: “Unë nuk ndjehem nëse e lejon që çështja e mbrëmjes së fundvitit të me zërë çdo lloj hapësire në kokën time. Mund të shkoj diku në minutën e fundit. Do të doja të ndjehesha krejtësisht e lirë për të festuar, për të mos festuar, apo ndoshta edhe për t’iu përkushtuar të tjerëve, si një vullnetare humanitare, për shembull”- thotë ajo. Diçka e sigurt, është se Chantal ka mësuar me kalimin e viteve të ulë pritshmëritë e saj: “Festa më e mirë e jetës sime, nuk ka qenë kurrë një festë e Vitit të Ri, dhe kjo është e sigurt!”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce