Në Tiranë zhvillohet sot më 21 nëntor 2025, samiti rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për integrimin ekonomik, zhvillimin e rajonit dhe afrimin me tregun e Bashkimit Europian. Takimi mbahet në Pallatin e Brigadave dhe nis në orën 09:30.
Në samit merr pjesë edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ndodhet në Tiranë që nga dita e djeshme. Ajo ka zhvilluar një takim dhe një darkë pune me kryeministrin Edi Rama.
Pas pritjes së liderëve në orën 09:30, samiti fillon zyrtarisht në orën 10:00. Fjalët hyrëse do t’i mbajnë kryeministri Rama dhe komisionerja Kos. Rreth orës 11:30 do të realizohet fotoja familjare, ndërsa në 11:35 pritet konferenca e përbashkët për mediat e Ramës dhe Kos.
Ky samit zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka hapur së fundmi grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në, atë të Bujqësisë dhe Kohezionit. Qeveria shqiptare synon anëtarësimin deri në vitin 2030, ndërsa Bashkimi Europian ka vlerësuar progresin e bërë deri tani.
Axhenda (09:30 – 12:00), Pallati i Brigadave
09:30 – Mikpritja e liderëve / Deklaratat hyrëse
10:00 – Nisja e punimeve të Samitit “Growth Plan”
– Fjalë hapëse:
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin
11:30 – Foto familjare
11:35 – Konferencë për shtyp (Rama & Kos)















