Nuk ka dyshime që Thomas Strakosha është një prej lojtarëve më të mirë të Lazios, për të mos thënë më i miri. Portieri i kombëtares shqiptare, që mbron edhe portën e skuadrës së Serisë A në Itali, është shndërruar në pikë kyçe për ekipin e tij. Karriera e Strakoshës ka ardhur gjithmonë me ngritje, teksa për pak vite ka bërë “bum” duke u shndërruar në një lider në pozicionin e tij. Është faqja pranë klubit italian “Thelaziali”, që i ka kushtuar një artikull të gjatë portierit shqiptar, ku në krye të titullit shkruhet “Thomas Stakosha, hiri shpëtimtar i Lazios”.
Kjo faqe i bën jehonë të madhe futbollistit të kombëtares shqiptare, njëherazi portierit të Lazios. Strakosha është një “bast” i fituar i Drejtorit Sportiv, Igli Tare, që e solli në Romë për vetëm 75 mijë euro në vitin 2012, ndërsa vlera e portierit 23-vjeçar tashmë ka shkuar në mbi 20 milion euro.
Gjatë sezonit 2017/2018, Strakosha luajti 53 ndeshje në të gjitha garat me Lazion, me 4800 minuta në këmbë. Ai luajti në çdo ndeshje të Serisë A dhe në Ligën e Europës, ku në këtë të fundit humbi vetëm tre takime. Strakosha ka treguar deri më tani aftësinë e tij për tu përshtatur, përqendrimin në çdo ndeshje, kondicionin e shkëlqyer fizik dhe mentalitetin e një futbollisti profesionist. Në sezonin aktual, Thomas Strakosha ka luajtur 20 ndeshje me një total prej 1800 minutash.
Ai nuk ha humbur asnjë ndeshje të Serisë A, ndërsa është lënë pushim nga trajneri Inzagi në katër takime të Europa Legue. Thomas është një nga dy lojtarët (përveç Francesco Acerbi), që ka luajtur çdo minuta në ligën italiane. Deri më tani ka pësuar 22 gola, ndërsa pesë herë ka mbajtur rrjetën të paprekur. Në total deri më tani Strakosha ka 98 paraqitje me fanellën e Lazios, ndërsa 77 prej këtyre takimeve i ka në Serinë A.
Duke luajtur me besim, pasion dhe qetësi, Strakosha është pjesë e vazhdueshme që ndihmon suksesin e Lazios. Atributi i parë kyç është pozicionimi i tij, ndërsa jo më pak mbeten dhe vetëbesimi dhe reflekset e tij, që i krijojnë gjithmonë siguri portës së Lazios.