Goditet një tjetër rast i tentativës për të futur në Shqipëri, shuma parash të padeklaruara në doganën e Portit të Durrësit, ndërsa është proceduar penalisht poseduesi i tyre.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se gjatë kontrollit në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, monedhat e huaja u gjetën në automjetin që drejtohej nga shtetasi A. S.. Shërbimet e Policisë gjetën 39 310 franga zvicerane dhe 625 euro, të cilat shtetasi A. S. tentoi t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
NJOFTIMI I POLICISE
Goditet një tjetër rast i tentativës për të futur në Shqipëri, shuma parash të padeklaruara në doganë. Tentoi të fuste në vendin tonë, 39 310 franga zvicerane dhe 625 euro që i kishte fshehur në automjetin e tij, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, procedohet në gjendje të lirë 38-vjeçari. Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara për parandalimin e futjes së sasive të konsideruehsme të parave të padeklaruara, që dyshohet se janë të përfituara nga veprimtraria kriminale. Bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar faza e dytë e operacionit policor të koduar “Destinacioni”.