Të martën hyri në fuqi vala e parë e sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Urdhri ekzekutiv i së hënës i Presidentit amerikan Donald Trump, kërcënon të vendosë Uashingtonin me Ankaranë në një kurs përplasjeje. Ankaraja këmbëngul se veprimet e njëanshme të Trump nuk janë të detyrueshme për të. Mosmarrëveshjet kërcënojnë të përkeqësojnë tensionet ekzistuese mes dy aleatëve të NATO-s.
“Do të zbatojmë në mënyrë agresive sanksionet tona dhe kjo i vendos në një provë shumë të rëndësishme ato kompani, ato banka dhe ato qeveri, të cilat duan të bëjnë biznes me Iranin”, tha një zyrtar i lartë amerikan të hënën. “Do të jemi shumë seriozë në zbatimin e këtyre sanksioneve sikurse ka urdhëruar presidenti”.
Vala e parë e sanksioneve ndaj iranianit që hyri në fuqi të martën, synon kryesisht transaksionet financiare dhe shitjet e avionëve tregtarë me Iranin. Në nëntor parashikohet të hyjnë në fuqi masat për të ndaluar shitjen e energjisë nga iraniani.
Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu e ka përjashtuar mundësinë e zbatimit të masave amerikane, duke këmbëngulur se Turqia ka detyrime vetëm ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Ankaraja e cilëson Teheranin si një partner tregtar kyç, për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë së dobësuar turke.
Nafta dhe gazi iranian janë shumë të rëndësishëm për Turqinë që ka mungesa të këtyre burimeve. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Turqia importoi mesatarisht 176 mijë fuçi në ditë me naftë iraniane, që përbën 49 për qind të importeve turke.
“Dukshëm është një çështje shumë serioze në një kohë kur ekonomia turke po përballet me një periudhë të vështirë. Të heqësh dorë nga tregtia me Iranin dhe të mos kesh mundësi të blesh gaz dhe naftë mund ta dëmtonte seriozisht ekonominë turke”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel, i Universitetit Kadir Has në Stamboll. “Pra, ekziston një problem i madh dhe ka shumë pak kohë në dispozicion për ta zgjidhur dhe në një kohë kur të dyja palët nuk i besojnë njëra-tjetrës”.
Marrëdhëniet e tensionuara
Mardhëniet Turqi-SHBA janë aktualisht thellësisht të tensionuara për shumë çështje për të cilat palët nuk pajtohen. Javën e kaluar, Uashingtoni ndërmori hapin e pashembullt të vendosjes së sanksioneve ndaj dy ministrave turq lidhur me çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson i cili mbahet i arrestuar nga autoritetet turke. Zoti Brunson, i cili përballet me akuzat për terrorizëm ndodhet nën arrest shtëpiak. Ankaraja u hakmorr me një përgjigje të ngjashme, duke i vendosur sanksione dy zyrtarëve amerikanë identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike.
Me një Turqi importuese e rëndësishme e naftës iraniane, analistët thonë se do të jetë prioritet i Uashingtonit të bindë Ankaranë që të pajtohet me sanksionet e saj. Muajin e kaluar, zyrtarët e lartë amerikane të udhëhequr nga marshalli Billingslea, ndihmës sekretar i Thesarit për financimet e terrorizmit, vizituan Ankaranë për t’u takuar me ministrat e qeverisë dhe drejtues biznesesh me qëllimin për të ushtruar presion lidhur me çështjen e sanksioneve.
Zoti Billingslea i vlerësoi bisedimet si pozitive, por një burim konfidencial i cilësoi takimet si të vështira.
Një burim nga bizneset turke pohoi se sugjerimi i Uashingtonit për të përdorur naftën arabë në vend të asaj të Iranit, dështon të mos marrë parasysh çmimin e kushtueshëm dhe kohën që do t’u duhej rafinerive turke për t’u përshtatur me naftën saudite me cilësi me të dobët.
Ankaraja ka gjithashtu shqetësime strategjike që të mbështetet tek Arabia Saudite.
“Turqisë i thuhet të blejë naftë nga Arabia Saudite, ndërsa ka një tubacion nafte me Iranin fqinj dhe mund të sigurojë naftë bruto me një çmim më të ulët”, shkruan Ilnur Cevik, një këshilltar i lartë i presidentit në gazetën turke Sabah. “Përveç kësaj, kush mund të garantojë se Turqia mund të sigurojë prurje të qëndrueshme të naftës me çmime të arsyeshme kur Arabia Saudite herë pas here shfaq një politikë antagoniste ndaj Ankarasë?”
Ish-presidenti amerikan Barak Obama i bëri Ankarasë disa përjashtime kur vendosi sanksione kundër Iranit. Megjithatë kritikët theksojnë se Ankaraja i dëmtoi ashpër sanksionet amerikane duke përdorur arin, për të shmangur kufizimet në përdorimin e dollarëve për tregti me Iranin.
Gjatë një periudhe Turqia ishte një nga importuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të arit në botë. Tashmë Uashingtoni e ka mbyllur derën për të përdorur arin në tregtinë me Teheranin.
Rasti “Halkbank”
Më parë gjatë këtij viti, një gjykatë e Nju Jorkut dënoi një zyrtar të lartë të Halkbank-ut, që kontrollohet nga shteti turk, për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj iranianit. Departamenti amerikan i Thesarit po konsideron mundësitë e vendosjes së një gjobë të majme kundër bankës, që sipas analistëve mund të jenë në disa miliarda dollarë.
Analistët e shohin përvojën e Halkbank-ut si një paralajmërim për Ankaranë dhe sistemin financiar turk për rreziqet që u kanosen nëse shkelin sanksionet e ardhshme amerikane.
“Në fakt do të detyrojë Ankaranë të zgjedhë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington. “Moszbatimi i sanksioneve ndaj Iranit nuk është një opsion. Do të ketë presion në rritje nga SHBA-ja duke krijuar një rreth vicioz në marrëdhëniet dypalëshe”.
Tensionet e thella mes Uashingtonit dhe Turqisë po u kushtojnë rëndë tregjeve financiare të Turqisë. Lira turke pësoi rënie të fortë javën e kaluar pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj dy ministrave turq. Të hënën, monedha pësoi rënie në nivel rekord pas lajmit për tarifat e reja ekonomike amerikane kundër Turqisë.
Sanksionet amerikane ndaj Iranit janë më të fundit në një listë gjithnjë në rritje të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
“Në fakt mund të ketë mënyra dalje nga e gjithë kjo” thotë zoti Ozel. “Por besimi në këto marrëdhënie është zhdukur krejtësisht dhe rindërtimi i besimin në një marrëdhënie është detyra kryesore dhe më e vështirë”. VOA