Anthony H. Cordesman
Askush nuk duhet të nënvlerësojë vlerën e sulmit me raketa që SHBA ka ndërmarrë së fundmi kundër forcave qeveritare siriane. Goditjet ndaj një bazë të vetme ajrore, zor se do të dëmtojnë kapacitetin e Forcave Ajrore Siriane dhe as të kufizojnë aftësinë e Damsskut për të përdorur armët e mbetura kimike. Megjithatë ato i dërgojnë një sinjal shumë të rëndësishëm si miqve të Amerikës, kritikëve, por edhe armiqve të saj.
Një mesazh i rëndësishëm, është se në krizën e parë të vërtetë të presidencës së tij, presidenti Donald J. Trump dëgjoi këshilltarët e tij ekspertë, duke dëshmuar të jetë fleksibël në ndryshimin e qëndrimit së tij, e duke zgjedhur një reagim proporcional, komunikuar në mënyrë efektive me Rusinë për të shmangur humbjet ruse, dhe vepruar shpejt.
Ai nuk dështoi as të vepronte, dhe as ta tepronte me reagimin, duke përçuar një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do të përballen jo vetëm me një kërcënim të lokalizuar, por edhe reagojnë ndaj presionit rus. Në vetevete, sulmet e SHBA-së nuk do të ndryshojnë dot rrjedhën e luftës civile në Siri, dhe as reduktojnë nivelin e përgjithshëm të vuajtjes së civilëve. Por ky akt, mund të ketë një ndikim më të gjerë në kufizimin e përdorimit të terrorizmit shtetëror nga Asadit kundër popullit të tij.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë më shumë të fokusuara mbi ISIS-in dhe dhunën ekstremiste nga aktorët jo-shtetërorë. Terrorizmi shtetëror nga një lider autoritar laik si Asad nuk është më më pak i dëmshëm se sa ekstremizmi i dhunshëm fetar nga aktorët jo-shtetërorë, dhe ndikimi i armëve kimike dhe bombave fuçi ka treguar se terrorizmi shtetëror mund të jetë në fakt shumë më i keq.
Dështimi për të vepruar më herët, duket se ka dërguar mesazhin më të keq të mundshëm. Asadi duket se e ka ndjerë veten mjaft të sigurtë me ndihmën ruse, si dhe pas deklaratave të SHBA se ishte tërhequr nga kërkesa për largimin e tij nga pushteti, për të përdorur edhe format më të këqia të terrorit kundër rebelëve sirianë.
Në këto kushte, përdorimi i armëve kimike si një mjet terrori, kishte kuptim nga pikëpamja e Asadit. Forcat siriane pro-Asad, Irani, Rusia, dhe Hezbollahu detyruan rebelët dhe shumë civilë të përqendrohen në Idlib. Edhe përdorimi i kufizuar i gazit nervor Sarin, krijoi një nivel të ri të frikës dhe panikut nga ana e civilëve, dëmtoi forcat rebele, dhe ndihmoi në krijimin e kushteve që i lejoi regjimit të Asadit të rishtjerrë në dorë më shumë territore dhe dobësojë forcat rebele.
Sulmet raketore amerikane, e kanë bërë tashmë të qartë se Asadi mund të jetë ende një objektiv i madh politik, dhe se përdorimi i tij i formës më të keqe të një arme terroriste, mund të rezultojë në sulme hakmarrëse, të cilat janë më të kushtueshme se sa përdorimi i vazhdueshëm i armëve kimike nga ana e Asadit.
Megjithatë, fakt është se reagimi për vdekjen e më pak se 100 sirianëve nga helm,i nuk është zgjidhje për realitetin e zymtë të konfliktit sirian. OKB-ja vlerëson tashmë se gjysmë dekade luftë civile ka shkaktuar vrasjen e qindra mijëra njerëzve nga regjimi i Asadit, dhe ka vënë në rrezik jetën e 13 milionë sirianëve civilë, duke përfshirë miliona fëmijë.
Sulmet e fundit, nuk do ta privojnë Sirinë nga përdorimi i formave të tjera të terrorizmit shtetëror në terren, duke përfshirë shkeljet e armëpushimit dhe marrëveshjeve për tërheqjen e trupave. Ato nuk do të ndalojnë as Moskën të vazhdojë të mbështesë Asadin me sulme ajrore, me pretendimin se ato godasin terroristët dhe ekstremistët, por që në realitet bien mbi spitalet, tregjet, dhe zonat civile – një tjetër formë e një terrorizmit shtetëror të kalibruar, që është më pak i dukshëm se sa bombat fuçi, por jo më pak efektiv.
Çfarë vjen më pas?
Opsionet nuk janë të mira, por ekziston një gamë e gjerë e tyre që mund të kenë një
efekt pozitiv, dhe shumica e tyre s’duhet të përfshijnë përdorimin masiv të forcës –dislokimin në shkallë të gjerë të forcave tokësore amerikane. Për shembull, një opsion i tillë është të bëjë të qartë se çdo përdorim i ardhshëm i armëve kimike, do të çojë në sulme edhe më të rënda nga SHBA, forcimin e kërcënimeve për hakmarrje të ngjashme në rastin e përdorimit të bombave fuçi gjatë sulmeve ajrore të Asadit, dhe çfarëdolloj aksinesh që shkelin armëpushimet dhe marrëveshjet për evakuim të objektivave civile.
Shtetet e Bashkuara mund të punojnë më në heshtje me aleatët e saj arabë në rajon-Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin – për të lidhur fluksin e armëve dhe parave ndaj rebelëve me përshkallëzimin e sulmeve të Asadit mbi civilët, dhe madje t’i rrikthehet kërkesës se bisedimet e paqes duhet të përfshijnë largimin e Asadit nga pushteti.
Sanksionet mbeten një alternativë e fuqishme, veçanërisht nëse kanë si objektiv kompanitë e huaja, lidhjet financiare, trafikun ajror dhe detar, si dhe lëvizjet e sirianëve e të huajve brenda dhe jashtë Sirisë. Rusia mund të ketë kryer një gabim thelbësor, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë fajtore për krime lufte, dhe se do e dërgojë këtë çështje për diskutim në Këshillin e Sigurimit.
Kjo është mundësi e përkryer që Uashingtoni të dokumentojë çdo përdorim të armëve kimike nga ana e Damaskut, dhe çdo sulm mbi civilët. Opsioni që kanë sugjeruar senatorët Mekein dhe Graham për të shkatërruar të gjithë Forcat Ajrore Siriane, bart rreziqe të dukshme, por mbetet sërish një opsion.
Shtetet e Bashkuara s’duhet të përdorin si një opsion kufizimin e ndihmave humanitare në zonat e kontrolluara Asadi. Kostoja etike dhe morale, do t’i tejkalonte përfitimet ushtarake. Megjithatë mund të bashkëpunojë me aleatët e saj për t’i ofruar Sirisë një plan të madh ndihme, të ngjashëm me Planin e dikurshëm Marshall, por vetëm nëse fraksionet në Siri munden të bien dakord për një marrëveshje paqeje që përjashton Asadin, përjashton ata përreth tij që janë fajtorë për terrorizëm shtetëror, dhe që përjashton edhe fraksionet rebele ekstremiste.
Rimëkëmbja dhe ndihmat nuk do të funksionojnë për sa kohë që luftimet në terren vazhdojnë, apo në rast se Siria mbetet e ndarë, por ato mund të shndërrohen në një nxitje e madhe për të arritur një paqe të vërtetë me kalimin e kohës.
Shënim: Anthony H. Cordesman është drejtues i Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington DC.
“Center for Strategic and International Studies”
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce