Gjatë vizitës së saj dy-ditore në Maqedoninë e Veriut, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u takua në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nënkryetarin Bujar Osmani, si dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ky takim sipas ministres, u fokusua në kontributin domethënës të opozitës shqiptare në artikulimin dhe avancimin e kauzave shqiptare dhe të proceseve integruese euroatlantike.
“Mes miqsh të mirë, me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Nënkryetarin Bujar Osmani, si dhe me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për kontributin domethënës të opozitës shqiptare në artikulimin dhe avancimin e kauzave shqiptare dhe të proceseve integruese euroatlantike. Shqipëria do të vijojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare, në pozitë dhe në opozitë, veçanërisht në funksion të ruajtjes së stabilitetit, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të progresit të integrimit të dy vendeve tona.”, shkruan Spiropali.
Më herët gjatë ditës së sotme, u takua me kryetarin Bilall Kasami. Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon. Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës.















