Sot më 25 nëntor 2025 në Tiranë, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti homologen e saj nga Austria, Beate Meinl-Reisinger, Ministre Federale për Europën dhe Punët e Jashtme.
“Takimi solli një frymë mirëkuptimi dhe miqësie që e bën çdo hap të përbashkët edhe më domethënës”, shkruan Spiropali në postimin e saj.
Gjatë bisedimeve, dy ministret diskutuan për prioritetet e përbashkëta dhe për mbështetjen e palëkundur të Austrisë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Spiropali theksoi se “procesi kërkon meritë, vendosmëri dhe vullnet për të ecur shpejt e drejt”.
Vizita përfshiu edhe Shtëpinë e Europës, ku Spiropali dhe delegacioni shqiptar u takuan me Ambasadorët e Rinj Europianë.
“Ata janë një brez që mendon ndryshe, krijon më shumë dhe vepron me zemër, të rinj që sjellin ide të reja dhe i japin rajonit tonë hapësirë për ndryshim e transformim”, shkruan Spiropali.
Ministrja Spiropali përfundon postimin e saj me një mesazh optimist për të ardhmen evropiane të vendit. “Një ditë që rikujton se e ardhmja europiane e Shqipërisë ndërtohet përmes miqësisë, besimit dhe angazhimit të atyre që besojnë se koha për të ecur përpara është sot”.
Ky takim nënvizon përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin europian dhe rolin mbështetës të partnerëve të rëndësishëm si Austria.















