Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Letoni” që do të zhvillohet më datë 9 shtator 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Letonisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 9 shtator 2025, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Tiranë, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish stacioni i trenit.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu, apelohet për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë. Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Njoftohen tifozët se hyrja në stadium fillon në orën 18:00.















