Kryeministri Edi Rama në një takim mbi të drejtën e informimit kritikoi hapur komisionerin Besnik Dervishi, se ky i fundit duhet të apikojë sanksione ndaj institucioneve, kur nuk merret përgjigje brenda 10 ditëve siç e përcakton ligji.
Ai u ndal dhe te rastet kur me sanksione u frenua fenomeni i zaptimit të trotuareve apo bllokimi i rrugëve nga ministra dhe deputetë. Po ashtu ai tha se sanksioneve për mungesë informacioni nga ana e qytetarëve nuk duhet t’i shpëtojnë ministrat dhe sekretarët e Përgjithshëm.
“E kemi diskutuar edhe me Komisionerin, kemi pasur edhe një mbledhje qeverie, ku kemi theksuar që të jemi një fokus më të madh në këtë aspekt. Për këtë arsye kemi shtyrë përpara edhe projektin e transparencë Albania, që është një projekt ambicioz për të pasur në një territor virtual informacionin. Kjo do të lehtësonte edhe gjetjen e informacionit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre problematikave lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është barrikadë për të mbajtur informacionin, por është një problematikë e funksionimit të brendshëm të administratës. Kjo është e përmirësueshme, më pak se ç’do të prisnin ata që shohin gotën gjysmë bosh.
Për të qenë transparent, unë i kam bërë Komisionerit një vërejtje, e vërtetë, për aq sa i bëj një institucioni të pavarur, që është mungesa e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji është i qartë; 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Kjo mund të jetë shumë. Nëse në ditën e 11 nuk ka përgjigje, përgjigjja është sanksioni. Duhet të sanksionohet institucioni përgjegjës. Duhet të bëhet delegimi te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11.















