Nga Gwynne Dyer, “Internazionale”/Nëse një model nuk funksionon, është më mirë të provosh ta riparosh apo të blesh një të ri? Në fushën e teknologjisë, gjithnjë e më shpesh përgjigja është të blesh një të ri. Dyqanet e specializuara për riparimin e kompjuterëve po zhduken.
Nëse një laptop nuk punon, është më mirë të heqësh qafe. Por ajo që është e mirë për teknologjinë, nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për politikën. Modeli politik i demokracisë perëndimore, i rritur përkrah dhe pastaj brenda ekonomisë kapitaliste, është prishur.
Dëshmia e parë që e mbështet këtë tezë, është padyshim Donald Trump, por ka edhe të tjerë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, një e treta e francezëve votuan për Marine Le Pen, një fashiste e reformuar.
Në zgjedhjet gjermane në shtator 2015 një e teta e elektoratit votoi për Alternativën për Gjermaninë, një parti që e ekstremit të djathtë që është qartazi neo-naziste, dhe tani udhëheq opozitën në parlamentin gjerman.
Në zgjedhjet e marsit në Itali, të dyja partitë që korrën rezultatin më të mirë udhëhiqen nga agjitatorë populistë.
Për të mos përmendur Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Temat që dominonin retorikën populiste ishin racizmi, nacionalizmi, armiqësia ndaj imigrantëve dhe puna.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump nuk fliste në thelb për ndonjë gjë tjetër:emigrantët vjedhin vendet e punës. Poshtë tregu i lirë! Amerika e Para! Trump nuk di shumë, por një gjë e di me siguri:jetojmë në një epokë të shënuar nga papunësia masive, dhe askush nuk duket ta ketë vënë re atë.
Siç vuri në dukje presidenti aktual i SHBA-së pas fitores së garën brenda-partiake në Nju Hempshajër në shkurt të vitit 2016:“Mos u besoni shifrave të rremë që ju tregojnë.
Ata flasin për një papunësi në nivelin 4.9 apo 5 për qind. Përqindja e vërtetë është ndoshta 28, 29 ose 35 për qind. Kohët e fundit kam dëgjuar për një papunësi rreth 42 për qind”.
Papunësia në SHBA nuk është sigurisht 42 për qind, por nuk është aq 4.1 për qind (të dhënat zyrtare aktuale në Shtetet e Bashkuara). Sipas librit “Burra pa punë” të Nicholas Eberstadt, shkalla reale e papunësisë midis meshkujve amerikanë në moshë pune të plotë (24-55 vjeç), përfshirë të gjithë ata që nuk llogariten për shkak se kanë pushuar së kërkuari një punë, është 17 për qind.
Është e arsyeshme të mendohet se gjysma e vendeve të punës aktuale, do të automatizohen në 20 vitet e ardhshme. Po pse nuk e kemi vënë re këtë? Për shkak se të papunët nuk protestojnë më në rrugë siç kanë bërë gjatë Depresionit të Madh të viteve 1930, edhe nëse shkalla e papunësisë i afrohet atyre niveleve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, të gjitha demokracitë ndërtuan shtetet e mirëqenies sociale, kryesisht për të parandaluar ngjitjen në pushtet të një gjeneratë të ardhshme të populistëve radikalë, në rastin e një faze të re të papunësisë masive.
Ajo skemë funksionoi, në kuptimin që këtë herë nuk ka gjakderdhje nëpër rrugë. Por miliona të papunë janë të zemëruar, edhe nëse ndihma sociale i parandalon ata të vuajnë nga uria.
Ata janë njerëz që votojnë dhe – nëse nuk bëni diçka sot për të zbutur zemërimin e tyre – herën tjetër ata mund të zgjedhin dikë që do ta bëjë Donald Trumpin të duket si një politikan i madh.
Pra, problemi është papunësia, por përgjigja nuk është e qartë, pasi shkaku kryesor i papunësisë në vendet perëndimore nuk është emigrimi apo zhvendosja e vendeve të punës, siç thotë Trump. Shkaku kryesor janë kompjuterët.
Një e treta e vendeve të punës në sektorin amerikan të prodhimit, janë zhdukur gjatë 20 viteve të fundit, dhe shumica e tyre (85 për qind) janë shkatërruar nga automatizimi.
Algoritmet dhe makineritë, kanë rrënuar tashmë Rripin e Ndryshkur në SHBA (ish-shtetet industriale), dhe është e arsyeshme të mendohet se gjysma e punëve aktuale, do të automatizohen gjatë 20 viteve të ardhshme.
Si do të duket politika në atë moment? Ndoshta jo shumë demokratike, përveçse nëse gjendet një zgjidhje për të reduktuar zemërimin e të papunëve.
Kjo nuk do të thotë vetëm të jepen më shumë para për ata që nuk punojnë (me një zgjerim të madh të shtetit të mirëqenies sociale), por edhe të gjenden mënyra për të fshirë turpin lidhur me mungesën e një punë, për shkak se ajo që shkakton zemërimin, është pikërisht poshtërimi i të konsideruarit një dështak.
Propozimi kryesor që po shqyrtohet aktualisht, është ai që ka të bëjë me të ardhurat themelore universale.
Me futjen e tij në zbatim, çdo qytetar do të merrte para të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, pavarësisht nëse ka apo jo një punë, edhe nëse shumica e njerëzve do të vazhdonin të punonin për të fituar më shumë para.
Garantimi i të ardhurave universale nënkupton anulimin e turpit dhe zemërimit. Do të ishte një e drejtë e lindur, dhe jo një gjest dashamirësie ndaj atyre që kanë humbur punën.
Në praktikë kjo mund të mos funksionojë, por së paku adreson problemin e duhur. Përveç kësaj, ka mjaftueshëm para për të ndjekur këtë qasje.
PËRSHTATI TIRANA TODAY