William J. Perry*/ “Politico.com”
Arsenali bërthamor në rritje i Koresë së Veriut dhe kërcënimet e përsëritura të regjimit komunist për ta përdorur atë, kanë krijuar një situatë gjithnjë e më të rrezikshme në Azinë Verilindore. Provokimi i fundit erdhi të shtunën, kur Republika Popullore Demokratike testoi një raketë, pas paralajmërimeve të SHBA-së për të mos e bërë këtë. (Ndonëse u raportua se raketa shpërtheu thuajse menjëherë, pa arritur të ngrihet).
Por, paradoksalisht, kushtet e njëjta të përshkallëzimit të tensioneve, kanë shtruar edhe rrugën për një zgjidhje të re diplomatike. Le të shpresojmë se administrata Trump do ta shohë dhe kapë këtë mundësi. Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë lloj rreziqesh jemi duke u përpjekur të zbusim. Rreziku nuk është, sikurse besojnë disa, se Koreja e Veriut nuk do të mjaftohet vetëm me mburrjet, por do të nisë një sulm të papritur bërthamor ndaj nesh. Udhëheqja e Koresë së Veriut, ndoshta është e keqe dhe nganjëherë e pamatur, por jo e çmendur apo kamikaze.
Qëllimi i tyre kryesor është të mbështesin dinastinë Kim, dhe përkundër të gjitha shanseve, ia kanë dalë ta bëjnë me mençuri ndër shumë dekada. Ata e dinë se, nëse ndërmarrin një sulm bërthamor, reagimi amerikan do të sillte vdekjen e tyre dhe shkatërrimin e vendit. Rreziku kryesor, në vend të kësaj, është që Koreja e Veriut mund të luajë në mënyrë të tepruar dhe të provokojë një përgjigje ushtarake nga Koreja e Jugut. Kjo mund të zgjerohet shumë shpejt në një luftë më të madhe konvencionale, e cila pashmangshmërisht do të përfshinte edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë thuajse 30.000 trupa të dislokuara në Korenë e Jugut.
Koreja e Veriut mund ta humbasë një luftë të tillë dhe, teksa udhëheqja sheh që regjimi është duke u shembur, atëherë mund të lëshojë armët bërthamore në një lëvizje të fundit të dëshpëruar – një Armageddon Korean. Diplomacia amerikane, duhet të jetë e përgatitur për ta parandaluar këtë pasojë katastrofike.
Perspektiva ime në këtë moment të rrezikshëm, është e formësuar nga dy episode, në të cilat unë kam vëzhguar regjimin e Koresë së Veriut – motivimet dhe logjikën që rrjedh prej tyre – nga shumë afër. Në vitin 1994, në cilësinë e Sekretarit të Mbrojtjes në administratën Clinton, unë mbikëqyra hartimin e një plani të mirëdetajuar për një sulm ushtarak kundër reaktorit bërthamor të Koresë së Veriut në Yongbyon, për të penguar prodhimin e plutoniumit që përdoret në ndërtimin e bombës.
Ne e kishim seriozisht dhe koreano-veriorët e dinin këtë – një ushtrim i diplomacisë shtrënguese që prodhoi një marrëveshje, e zbatuar në mënyrë jo të përkryer, por që pengoi efektivisht për një fare kohe progresin bërthamor të regjimit komunist. Në mandatin e dytë të Clinton, pasi isha larguar nga Pentagoni, udhëhoqa një përpjekje diplomatike që synonte zgjidhjen afatgjatë të dilemës bërthamore të Koresë së Veriut.
Me aleatët në Korenë e Jugut dhe Japoni diskutuam mbi një marrëveshje që ofronte një rezultat shumë të dëshirueshëm: normalizimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut, në shkëmbim të heqjes dorë nga kërkimet për prodhimin e armëve bërthamore. Ne ishim jashtëzakonisht pranë një marrëveshje, që përfshinte edhe vizitën e presidentit Klinton, në Pyongyang, kur koha që u desh për të e tejkaloi mandatin e dytë dhe të fundit të Clinton-it.
Presidenti, George W. Bush, braktisi planin diplomatik të Clinton-it në favor të modelit të tij më konfrontues dhe, në gjykimin tim, humbi një mundësi të paçmuar. Sot, Koreja e Veriut zotëron 10-20 bomba bërthamore dhe është e qartë se diplomacia më shumë sesa lufta, është rruga e saj preferuar. Po pse duhet të besojmë që diplomacia mund të jetë e suksesshme tani, kur ka qenë e pa efektshme në 16 vitet e fundit?
Strategjia jonë negociuese, gjatë kësaj periudhe, ka qenë e bazuar kryesisht në stimujt ekonomikë dhe pengesat përmes sanksioneve. Kjo strategji s’ka fuknsionuar, kryesisht për shkak se, ndërsa udhëheqja e Koresë së Veriut dëshiron të përmirësojë ekonominë e brishtë të vendit, ky qëllim është gjithmonë në varësi të qëllimit për të mbështetur dinastinë Kim, që ata besojnë se mund të mbërrihet përmes arsenalit të tyre bërthamor nga pas.
Sigurisht, arsenali e arrin qëllimin e tij vetëm në qoftë se Koreja e Veriut nuk e përdor atë. Pasi nëse udhëheqësit e saj e përdorin arsenalin e tyre për të sulmuar një vend tjetër, fati i regjimit është i vulosur. Duke pasur parasysh këtë, mund të vihet në zbatim një strategji e re negociuese, e cila duhet të lejojë regjimin e Koresë së Veriut, të gjejë një mënyrë për të mbijetuar pa armë bërthamore, dhe kjo kalon nga mbështetja me stimuj më të fuqishëm ekonomikë se më herët.
Falë dy zhvillimeve të reja ndërkombëtare, një strategji e tillë tanimë është e mundur – dhe koreanoveriorët kanë më shumë gjasa për ta pranuar. E para është mundësia e bashkëpunimit të plotë të Kinës. Kjo s’do të thotë që Kina duhet të jetë përgjegjësja e vetme për zgjidhjen e problemit të Koresë së Veriut, porse SHBA-ja duhet ta bëjë Kinën një partnere të plotë në formulimin dhe zbatimin e qasjes së re.
Kina është kombi i vetëm, që mund të sigurojë pengesa të fuqishme ekonomike ndaj Koresë së Veriut, në furnizime me ushqim dhe lëndë djegëse. Kina ka qenë e gatshme për ta bërë këtë deri më tani, por gjatë muajve të fundit, kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut janë bërë gjithnjë e më në kundërshtim me interesat thelbësore të Kinës.
Provokimet jo vetëm që mund të çojnë drejt një lufte destabilizues rajonale, e cila tanimë duket më shumë se sa një mundësi teorike, por ato rrisin gjithashtu gjasat që Japonia dhe Koreja e Jugut të zhvillojnë armë bërthamore, një rrethanë Kina që është e etur ta shmangë.
Çelësi tjetër për suksesin e një strategjie të re negociuese, është besimi në rritje, në Korenë e Veriut, se ata tashmë mund ta kenë tepruar me strategjinë e tyre të mburrjeve dhe kërcënimeve dhe se SHBA është e gatshme të reagojë ushtarakisht.
Gjatë negociatave me dy administratat e fundit, udhëheqësit e Koresë së Veriut qenë të bindur, me arsye të mira, se kërcënimi i SHBA-së apo veprimi ushtarak i Koresë së Jugut, ishte thjesht një bllof dhe, në përputhje me rrethanat, ata e shpërfillën atë.
Por, ka të ngjarë që veprimet e fundit ushtarake të ndërmarra nga administrata Trump, nga goditjet me raketat Tomahawk në Siri tek vendosja e një grupi aeroplanmbajtësesh në gadishullin korean, kanë ndryshuar llogaritë e tyre. Kim Jong Un, tashmë, duhet të besojë se ekziston mundësia reale që SHBA-ja është e gatshme të përdorë forcën ushtarake, ndaj dhe duhet të përgatisë aksionet e tij në përputhje me rrethanat.
Besueshmëria e veprimeve ushtarake amerikane sot, është përafërsisht e krahasueshme me atë që ishte në vitin 1994, kur Shtetet e Bashkuara deklaruan prerë se nuk do ta lejonin Korenë e Veriut të ndërtonte armë bërthamore, kur kishim një plan emergjence (për të cilën ata ishin në dijeni) për shkatërrimin e sitit bërthamor në Yongbyon dhe se ishim në procesin e dërgimit të përforcimeve të mëdha ushtarake në Korenë e Jugut.
Këto veprime e detyruan Kim Il Sung-un të kërkonte negociata dhe premtonte të ‘ngrinte’ aktivitetin në sitin bërthamor në Yongbyon, ndërsa negociatat ishin në zhvillim e sipër. Sigurisht, alternativa ndaj diplomacisë është aksioni ushtarak. Shtetet e Bashkuara janë gati të godasin objektet bërthamore, në Korenë e Veriut, ashtu siç goditëm një aeroport ushtarak në Siri.
Por, pasojat mund të jenë shumë më shkatërruese. Unë besoj se Koreja e Veriut do të përgjigjet me një lloj goditje ushtarake kundër Koresë së Jugut, çka nga ana e saj mund të përshkallëzohet shumë shpejt në një luftë më të gjerë. Çdo luftë e tillë do të çonte në humbjen eventuale të Koresë së Veriut, por me rezultate shkatërruese, veçanërisht, për aleatit tonë, Korenë e Jugut.
Neve mund të na duhet të përdorim në një moment forcën ushtarake kundër Koresë së Veriut, por koha nuk është tani. Ne kemi ende një mundësi reale për diplomaci të suksesshme. Çështja kryesore është: Jemi të vetëdijshëm për ta kapur këtë shans? Ndoshta, mund të jetë shansi i fundit që kemi.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
*William J. Perry ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Mbrojtjes gjatë administratës Klinton.