Shtyhet seanca gjyqësore për dosjen “Metamorfoza”.
Raportohet se shkak është bërë mungesa e mbrojtes për të pandehurin Edmond Preka, pasi avokatja e tij ka dhënë dorëheqjen nga përfaqësimi.
Një vit më parë Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të biznesmenit, Pëllumb Gjoka si dhe anëtarëve të tjerë të të ashtuquajtur grup i strukturuar kriminal, përfshirë Behar Brajoviq (Bajri), Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardrit Hasanbegaj, si dhe ish-zyrtarin e lartë policor, Oltion Bistri dhe ish-prokurorin, Xhevahir Lita. Ata u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”, ndërsa nëntë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ata akuzohen për një vrasje, pesë tentativa vrasje si dhe grup kriminal e korrupsion. Për veprën e fundit, akuzohen ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe ish-zyrtari i policisë Oltion Bistri, të cilët kundrejt përfitimeve monetare bashkëpunonin me anëtarët e grupit kriminal. Hetimet nisën në vitin 2019 pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze që zbardhën komunikimet mes anëtarëve të grupit në rrjetet Enchro Chat dhe Sky.
Seanca për dosjen Metamorfoza është shtyrë për datët 16 qershor, ora 15:00.