Andrew A. Michta* /“American Interest”
Kërcënimi më i madh për rendin liberal ndërkombëtar nuk vjen nga Rusia, Kina, apo terrori xhihadist, por nga shthurja e vetimponuar e kulturës perëndimore. Të thuash se bota është duke u bërë gjithnjë e më pak e qëndrueshme dhe më e rrezikshme, do të thotë të pohosh atë që duket.
Por në mesin e volumeve të mëdha të shkruara mbi shkaqet e këtij ndryshimi të vazhdueshëm sistematik, një vektor mezi përmendet: copëtimi i Perëndimit kolektiv. Dhe akoma më pak, ideja se ai ka degraduar aftësinë tonë për të reaguar me një strategji të qartë, në mbrojtje të interesave tona rajonale dhe globale. Perëndimi ka dobësuar aleancën e NATO-s, dhe ndryshuar jo vetëm skemën globale të sigurisë, por tanimë edhe ekuilibrin e pushtetit në Evropë.
Nëse dikush dyshon mbi fushëveprimin dhe shkallën e problemit, ai ose ajo duhet të pyesë pse ka qenë kaq e vështirë kohët e fundit, ndërtimi i një konsensusi midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, për çështje të tilla të rëndësishme si: mbrojtja, tregtia, emigracioni, dhe se si duhen trajtuar Rusia, Kina dhe xhihadistët islamikë.
Problemi me të cilin po përballet sot Perëndimi, nuk buron nga mungesa e pushtetit, por nga pamundësia për të ndërtuar konsensus mbi qëllimet dhe interesat e përbashkëta, në emër të së cilave duhet të ushtrohet ai pushtet. Paqëndrueshmëria në rritje në sistemin ndërkombëtar nuk vjen, sikurse argumentojnë disa, për shkak të rritjes së Kinës si një fuqi që aspiron status global, rilindjes së Rusisë si një shkatërruese sistematike, aspiratave të Iranit për hegjemoni rajonale, apo despotizmit harbut të një Koreje të Veriut të pajisur me armë bërthamore; rritja dhe rënia relative e shteteve nuk është diçka e re dhe kjo nuk do të sjellë domosdoshmërish paqëndrueshmëri.
Problemi i Perëndimit sot, nuk është as rrjedhojë e rënies ekonomike të Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Evropian, pasi pavarësisht se u është dashur të përballen me çështje serioze ekonomike prej krizës së vitit 2008, ato mbeten dy ekonomitë më të mëdha në botë, pasuria e kombinuar e të cilave, si dhe zhvillimi teknologjik, janë të pakrahasueshme.
Nuk është as rritja e paqëndrueshmërisë globale, për shkak të forcimit të xhihadit islamik në mbarë globin. Megjithatë, tmerret që xhihadistët kanë shkaktuar mbi popujt e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, dhe ankthit që tashmë ka kapluar Evropën dhe Amerikën, ata nuk kanë, as për së afërmi, aftësitë e nevojshme për t’u përballur me fuqitë e mëdha.
Përkundrazi, problemi është paaftësia në rritje e Perëndimit për të rënë dakord se si duhet të përkufizohet si një qytetërim. Në thelb të mosfunksionimit të rënduar të Perëndimit, qëndron dekonstruksioni i vetimponuar i kulturës perëndimore dhe, bashkë me të, aliazhi që për dy shekuj mbajti Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në qendër të sistemit ndërkombëtar.
Kombi-shtet, ka qenë ndoshta ideja më e qëndrueshme dhe e suksesshme që ka prodhuar kultura perëndimore. Ai ofron recetën për të arritur sigurinë, rritjen ekonomike dhe lirinë individuale në nivele të pashoqe në historinë njerëzore.
Koncepti i një atdheu kombëtar të ankoruar historikisht dhe me një territor të përcaktuar, pasi asimiloi parimet e demokracisë liberale, të drejtën e pronës private dhe lirisë së lidhur me sundimin e ligjit, ka qenë në thelb të ngrehinës së suksesit global të Perëndimit dhe të çfarëdolloj “rendi” që ka ekzistuar ndonjëherë në të ashtuquajturin rend ndërkombëtar.
Që nga viti 1945, ai ka qenë “eksporti” perëndimor më i suksesshëm në të gjithë globin, me rritjen e dekolonizimit të drejtuar nga parimi amerikan i të drejtës së vetëvendosjes së popujve, një dëshmi për joshjen jetëgjatë ndaj tij. Ndonëse u sfidua nga fashizmi, nazizmi dhe komunizmi, Perëndimi doli fitimtar, sepse kur përballej me një rrezik ekzistencial, ishte i prirur të ndante vlerat e përbashkëta dhe të kultivuara prej një kohe të gjatë, si dhe besimin e zjarrtë se ajo që përfaqësonte kultura dhe trashëgimia e tij, ia vlente çdo sakrificë në luftë, dhe nëse qe e nevojshme të jepej edhe jeta për t’i ruajtur ato.
Perëndimi mbizotëronte asokohe, sepse qe i bindur se në anën e vet të peshores ofronte një grup më të mirë idesh, vlerash, dhe parimesh, me të cilat duhet të mateshin të tjerët. Sot, pas disa dekadash të një grupi politikash identitare dhe dekonstruksionit që pasoi, të trashëgimisë sonë përmes akademive, medias dhe kulturës popullore, kjo bindje në unitetin e Perëndimit, është vetëm një hije e zbehtë e asaj që ishte gjysmë shekulli më parë.
Ajo është zëvendësuar nga narrativat e elitës, që zëvendësoi turpin me krenarinë dhe indiferencën ndaj trashëgimisë së vet për patriotizmin. Pas dekadash “marshimi të gjatë” proverbial të Gramsci-it, nëpërmjet institucioneve arsimore dhe kulturore, shoqëritë Perëndimore kanë ndryshuar në mënyra të tilla, që e bëjnë mobilizimin shoqëror rreth idesë së përbashkët të një kombi, gjithnjë e më problematike.
Kjo mpakje ideologjike në Perëndim është shoqëruar me një rritje të nacionalizmit revanshist në pjesë të tjera të botës, si dhe totalitarizmit të frymëzuar fetar. Komunitetet kombëtare nuk mund të ndërtohen rreth idesë së turpit kolektiv mbi të kaluarën e tyre dhe, sërish, kjo është ajo që, gjithnjë e më shumë, po e zhvendos një qytetërim perëndimor me vetëbesim (ndoshta me një besim të tepruar, kohë pas kohe).
Pasiguria politike në rritje, në Evropë, është nxitur më pak nga fenomeni i emigracionit sesa nga paaftësia e qeverive evropiane për të vendosur kufijtë midis asaj që ata do të pranojnë ose jo.
Gjatë dy dekadave të fundit, elitat perëndimore kanë mbrojtur (ose pranuar) të ashtuquajturën “politikë multikulturore”, ku emigrantëve nuk do t’iu kërkohet më të bëhen qytetarë, në kuptimin e vërtetë të traditës liberale perëndimore.
Njerëzit që nuk e flasin gjuhën kombëtare, nuk njohin historinë e kombit dhe nuk identifikohen me kulturën dhe traditat e tij s’mund të ndihmojnë asnjë, përveçse të mbeten vizitorë.
Dështimi për të akulturuar emigrantët në demokracitë liberale perëndimore qëndron, me gjasë, në thelbin e rritjes së ballkanizimit dhe destabilitetit të pritshëm të komb-shteteve perëndimore si në Evropë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht nëse dikush i jep shthurjen e komb-shtetit perëndimor, emrin e postmodernizmit apo globalizmit, sulmi ideologjik mbi bazamentin e sistemit ndërkombëtar perëndimor ka qenë i rreptë.
Nuk është çudi që një kryengritje radikale islamike, e dobët në burime ka qenë në gjendje të realizojë sulme të mëdha kundër Perëndimit, duke ndërhyrë në procesin e ribërjes së shoqërive tona dhe ripërcaktimin e mënyrës sonë të të jetuarit.
Gjithashtu, nuk është për t’u habitur që, një Rusi e dobët dhe e korruptuar, të ketë qenë në gjendje të shkundë rendin ndërkombëtar, duke vënë thjesht në përdorim fuqinë konvencionale ushtarake në një mënyrë të kufizuar. Apo, që një Kinë të hedhë një hije gjithnjë e më të gjatë mbi Perëndimin.
Kërcënimi më i madh për sigurinë dhe mbijetesën e Perëndimit demokratik, si udhëheqës dhe normë-hartues i sistemit ndërkombëtar, nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Dhe me kalimin e çdo viti, dekonstruksioni i kulturës perëndimore, e bashkë me të, edhe komb-shtetit, ushqen edhe më shumë kaosin e brendshëm dhe i bën lidhjet tona ndërkombëtare përgjatë Perëndimit, gjithnjë e më të parëndësishme.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
*Andrew A. Michta është dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare në Qendrën Evropiane për Studimet mbi Sigurinë “Geroge C. Marshall”