Politikanët shqiptarë në Serbi nuk e shohin të arsyeshme daljen në zgjedhjet presidenciale. Ata kërkuan gjatë fushatës që të negociojnë votën e tyre me kandidatët për president, por në këtë pjesë fushata duket sikur nuk ka ekzistuar.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani thotë se të drejtat e shqiptarëve kanë ngelur kryesisht në letër.
“Nuk kemi ndonjë arsye për të përkrahur kandidatët që garojnë në zgjedhjet presidenciale, sepse nuk kemi ndonjë ofertë të paraqitur nga ata. Madje në trevat tona nuk është bërë aspak fushatë. Këtu nënkuptojmë se nuk jemi të barabartë dhe nuk trajtohemi si qytetarë të Republikës së Serbisë, pavarësisht problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi ne shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Ardita Sinani, kryetare e Preshevës.
Belgzim Kamberi, drejtues i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, thotë se shqiptarët në Serbi janë pjesë e proceseve rajonale dhe të drejtat e tyre mund të realizohen.
“Mendoj se dy çështje kryesore paraprake, që duhet t’i ketë çdo kandidat për president të Serbisë, janë pasja e një ideje dhe platforme konkrete për Luginën e Preshevës dhe njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha Belgzim Kamberi, Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Preshevë.
Driton Salihu, kryeredaktor i agjencisë “Presheva”, thotë se presin më shumë ndikim nga Tirana për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë.
“Mendoj se takimet Rama-Vuçiç kanë pasur një qasje pozitive rreth problemeve të Luginës, edhe pse opinioni i gjerë këtu është sadopak i ezauruar për t’i cilësuar këto takime si pozitive. Kjo pasi në 20 vitet e fundit ne kemi pasur vetëm takime, marrëveshje, projekte e premtime”, tha Driton Salihu, kryeredaktor i “Presheva.com”.
Shqiptarët kanë kërkuar që të jenë pjesë e institucioneve në Serbi dhe së fundmi kanë pasur takime me krerët e Serbisë, por edhe disa projekte që tashmë kanë filluar. Por gjatë fushatës, ata nuk përmenden nga partitë politike.