Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të liberalizimit të vizave.
Në një postim në Facebook, Mustafa shkruan se BE i ka vënë Kosovës një kusht të pakuptimtë, pasi Kosova ka nevojë të jetë në tregun e BE-së dhe, sipas tij, këtë e mundëson MSA-ja.
Më poshtë postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:
“Të nderuar miq, Aspiratat tona për t’u anëtarësuar në BE duhet t’i përmbushim me veprime dhe vendime të mëdha dhe të guximshme. Bashkimi Evropian u themelua që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit. Tregu unik evropian mënjanoi barrierat për lëvizje të lirë të faktorëve të prodhimit, sikurse edhe të ndërmarrësisë dhe shërbimeve. Kosova ka nevojë të jetë në tregun e BE-së; këtë e mundëson MSA-ja. Kosova ka nevojë për dije evropiane; këtë e mundëson liberalizimi i vizave. Kosova ka nevojë për lëvizje të lirë të mallrave; këtë e mundëson liberalizimi i vizave (ndryshe mallrat nuk mund të lëvizin pa njerëz). Kosova ka nevojë për lëvizje të ndërmarrësisë; edhe këtë e mundëson liberalizimi i vizave. Jemi bllokuar nga BE, me një kusht të pakuptimtë, ashtu siç jemi bllokuar nga vetvetja me një kauzë politike të paqëndrueshme, por edhe të dëmshme për perspektivën e vendit. Në një formë, ne mund t’i kuptojmë paragjykimet e disa burokratëve evropian në përcaktimin e kushteve, që nuk ua kanë përcaktuar të tjerëve, por duhet të gjejmë forcë të tejkalojmë vetveten për të çarë rrugën evropiane, atë të perspektivës ekonomike dhe kulturore. Ne duhet të arrijmë atje ku e kemi qëllimin, pa marrë parasysh se kjo rrugë nuk është pa pengesa. Fundja rrugë tjetër nuk kemi, prandaj çdo vonesë na dëmton. Pa pjesëmarrje të mirëfilltë në tregun evropian nuk ka zhvillim ekonomik, çfarë neve na nevojitet. IM”