Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Përmes një reagimi nga presidenca thonë se kur në debat politik përdoret fjala “pushkatim”, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike.
Sipas reagimit thuhet se Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët.
“Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime”, thuhet në reagim.
Presidentja Osmani nuk është “vegël” e askujt thuhet në reagim dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti.
“Ajo është Presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës. Ata që sot flasin për ‘tradhti’ dhe ‘pushkatim’ dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike”, thuhet në reagim.
Siç bëhet e ditur në reagimin nga presidenca Kosova ka paguar shumë për lirinë e saj që të tolerojë sot gjuhë linçuese ndaj institucioneve të saj.
“Thirrjet për ‘pushkatim’ nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim. Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike. Presidenca e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e presidencës.















