Një incident me armë zjarri u shënua sot në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër, ku një konflikt për motive të dobëta përfundoi me të shtëna në ajër. Falë reagimit të Policisë, autori i dyshuar u kap dhe u arrestua.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe ndalimin e autorit sapo morën informacionin për incidentin.
Policia arrestoi shtetasin A. Sh., 26 vjeç, i cili dyshohet se ka kanosur një të ri 20-vjeçar, Xh. G., duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan edhe armën e zjarrit të përdorur në ngjarje.
Autoritetet njoftojnë se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.











