Një operacion i gjerë policor është zhvilluar ditët e fundit në Bergamo të Italisë nga Guardia di Finanza, duke çuar në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga shtetas italianë dhe shqiptarë. Banda ishte aktive në rajonin e Lombardisë dhe zona të tjera të Italisë, dhe kishte në fokus trafikimin dhe shfrytëzimin për prostitucion, trafikun e drogës dhe grabitjet në banesa luksoze.
Gjatë aksionit janë sekuestruar armë zjarri, sasi të mëdha parash të paketuara, drogë e llojit marihuanë, hashash dhe kokainë, si dhe një limuzinë luksoze që përdorej për transportimin e prostitutave.
Operacioni çoi në arrestimin e disa personave të cilësuar si krerë të grupit, ndërsa autoritetet italiane nuk kanë bërë ende publike identitetet e tyre. Media lokale raporton se kjo organizatë përballej me një sërë akuzash, përfshirë trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, zhvatje, vjedhje dhe grabitje, posedim të paligjshëm të armëve, pranim mallrash të vjedhura dhe falimentim mashtrues.
Pamje dhe foto nga operacioni janë shpërndarë nga autoritetet italiane, duke ilustruar shkallën e përfshirjes dhe luksin që shoqëronte aktivitetin kriminal të grupit.