Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar sot për atë që ajo e cilëson shkatërrimin e mëtejshëm të arsimit.
Sipas Xhixhos, Shqipërisë i kanë ikur gjysma e mjekëve dhe me ligjin e ri jo vetëm që nuk i zëvendëson dot, por vret ëndrrat e të rinjve që duan mjekësinë dhe njëkohësisht dëmtom ekonominë e familjeve të tyre.
Postimi i Erisa Xhixhos:
Shkatërrimi i mëtejshëm i arsimit është e garantuar që do të vazhdojë.
Efektet e ligjit për pengmarrjen e diplomave të studentëve të mjekësisë kanë nisur të shihen.
Numri i maturantëve që kanë zgjedhur Mjekësinë e Përgjithshme është reduktuar me 40%.
Ashtu si kishim paralajmëruar, detyrimi me ligj për të qëndruar në Shqipëri edhe tre vjet pas diplomimit, po i shtyn studentët të zgjedhin largimin jashtë ose universitetin privat.
Shqipërisë i kanë ikur gjysma e mjekëve! Me këtë ligj, jo vetëm që nuk i zëvendëson dot, por vret ëndrrat e të rinjve që duan mjekësinë dhe njëkohësisht dëmtom ekonominë e familjeve të tyre.
Më pak mjekë, më pak mësues, më pak profesionistë të shkencës.
Kjo nuk është cilësia e arsimit me të cilin mund të integrohet vendi në BE!